Të gjithë ata që kanë ëndërruar për një palë atlete Adidas ose Nike për kuajt, tanimë mund t’i blejnë.
Thjesht duhen mbi një mijë dollarë për të poseduar një palë atlete të tilla të personalizuara. Marcus Floyd, një artist nga Kentucky, e ka nisur zhvillimin e prototipit të atleteve për kuaj si pjesë e një bashkëpunimi me agjencinë VisitLex. VisitLex e ka kontaktuar atë përpara Breeder’s Cup, një seri garash kalërimi të mbajtura në Lexington më 4 dhe 5 nëntor.
Floyd kishte përvojë të mëparshme me dizajnimin dhe modifikimin e këpucëve. Ai ka ndjekur një program intensiv katër-ditor për të mësuar se si të dekonstruktohen dhe rindërtohen atletet. Ndërtimi i çdo grupi këpucësh kërkon deri në 17 orë, sipas Floyd. Ai filloi me blerjen e vetë atleteve. Më pas i zbërtheu, duke i shkëputur me kujdes secilën pjesë përpara se të rimontonte atletet në majë të një çizme mbrojtëse të parapërgatitur për kuajt.
Ai u përpoq ta mbante dizajnin të saktë, duke përshtatur formën e kyçit të këmbës dhe thundrës së kalit. Tani, atletet VisitLex do të shiten në ankand në Sneaker Ball, një ngjarje për mbledhjen e fondeve për bamirësi, më 12 nëntor.
Floyd ka planifikuar të dhurojë dhjetë për qind të të gjitha të ardhurave nga shitja e këpucëve për organizatat jofitimprurëse lokale përmes Sneaker Ball. Klientët që shpresojnë për ta pajisur kalin e tyre me atlete të personalizuara mund të porosisin atlete edhe nga sipërmarrja e Floyd, Horse Kicks. Ndryshe nga atletet e markave të bëra për VisitLex, ato janë dizajne të vetë Floyd. Çmimet fillojnë nga rreth 1 mijë e 200 dollarë, në varësi të kompleksitetit të dizajnit.