Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për një takim në Bruksel.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano nuk ka dhënë një datë të caktuar por, ka kërkuar që takimi të ndodhë shumë shpejt. Kjo pasi më 21 nëntor vazhdon faza e dytë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
“Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen. Shpresoj që do të mund të vijnë shumë shpejt, dhe do të diskutojnë, siç ka thënë edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borell, para 21 nëntorit dhe jo më vonë”, tha Stano.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Këto makina qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.