Kreu i PD, Sali Berisha gjatë një takim me studentët tha se qeveria ka trefishuar tarifat e studimit në Universitete.
Berisha tha se janë vendosur pengesa serioze ndaj studenteve dhe familjeve pasi shumë prej tyre lënë pa arsimuar fëmijët e tyre për shkak të tarifave.
Sakaq shtoi se në Universitet mungon kërkimi shkencor dhe se mesatarja e vendosur goditi zonat rurale.
“Janë trefishuar tarifat dhe sot janë disaherë më të larta sesa një austriak, të cilët marrin më tepër të ardhura. Paguani tarifa së paku 10 herë më tepër se gjermanët apo shqiptarët që studiojnë në Gjermani. Tarifat e qeverisë për mijëra familje e bëjnë të pamundur mbështetjen e familjes për shkollim ndaj fëmijës së dytë. Janë vendosur pengesa serioze ndaj studentëve dhe familjeve. Universitetet që kur janë krijuar kanë pasur mision luftën e varfërisë, duke shkolluar fëmijët e familjeve dhe zonave të varfra. Edi Rama rriti mesataren e cila goditi zonat rurale. Fëmijët ngelen pa ardhur në Universitet, pasi nuk kanë mesatare. Rama i shndërroi universitetet në ‘mollë të ndaluar’. Universiteti gjallërohet vetëm me kërkimin shkencor por ai i ndërpreu me një urdhër administrativ. Ai është një armik i Universiteteve. Sot për të mbrojtur një doktorata, një intelektual duhet të matet pasi tarifa shkon deri në 100 mijë euro. Në diktaturë ishim në kushte më të favorshme, pasi ne punonim në laborator shkencor”, tha ai.