Të gjitha institucionet financiare në vend kanë afat deri më 31 Maj 2023, për të raportuar pranë Administratës Tatimore llogaritë e konsideruara si të raportueshme.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rikujton institucionet financiare shqiptare detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit për Llogaritë Financiare”. Duke filluar nga 11.03.2020, kur hyri në fuqi ky Ligj, të gjitha Institucionet Financiare në Shqipëri, përfshirë edhe bankat, janë të detyruara të zbatojnë procedurat dhe masat për përmbushjen e detyrimeve të këtij Ligji (raportimi pranë DPT për llogaritë e konsideruara si të raportueshme, sipas standardit CRS – Common Reporting Standard).
Për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit, autoritet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit (AEOI). CRS për AEOI kërkon që institucionet financiare të një juridiksioni raportues, të mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive të cilët janë rezidentë të shteteve të tjera. Një informacioni i tillë duhet të transmetohet “automatikisht” për çdo vit.
Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbledh të dhënat nga institucionet financiare dhe e shkëmben atë automatikisht me 130 vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes. Mosdorëzimi në afat i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar, ndëshkohet me 10 mijë lekë gjobë.