Dy persona janë arrestuar në Durrës, pasi akuzohen për vjedhje. Dyshohet se shtetasit Ergys Barollari, 23 vjeç dhe Ilir Sheifi 43 vjeç kanë tentuar të vjedhin në ish-radiostacionit të Shijakut objekte, si dhe akuzohen dhe për 3 vjedhje të tjera në fabrika të ndryshme të qytetit.
Uniformat blu kanë marrë në hetim 2 autorët e dyshuar për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjeve.
Njoftimi i policisë:
Shijak, Durrës/ Autorë të dyshuar të disa vjedhjeve në fabrika të ndryshme, kapen në flagrancë dhe arrestohen 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, si rezultat i punës hetimore dhe operacionale për zbardhjen e vjedhjeve të kryera, si dhe për nxjerrjen e autorëve të tyre, përpara përgjegjësisë penale, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit E. B., 23 vjeç dhe I. Sh., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë tentativës për të vjedhur në objektin e ish-radiostacionit të Shijakut. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, së bashku me shtetasin J. R., të arrestuar nga Policia e Tiranës, më 12.04.2023, kanë bashkëpunuar për kryerjen e 3 vjedhjeve të tjera, gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti, në fabrika të ndryshme në qarkun e Durrësit.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.