Rezultatet fiskale të muajit shkurt 2023 tregojnë se ekonomia ka dalë nga zona e rehatisë me konsum të lartë dhe norma të larta arkëtimesh në buxhetin e shtetit, teksa çmimet e larta dhe emigracioni, sidomos i të rinjve po dobësojnë konsumin.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, të ardhurat nga tatimet dhe doganat në shkurt ishin në vendnumëro në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, teksa të arkëtimet nga TVSH-ja, një tatim mbi konsumin shënuan rënie me 6.7%.
Në shkurt, të ardhurat tatimore ishin 39.5 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me shkurtin 2022, kur rezultuan 39.4 miliardë lekë. Duke pasur parasysh dhe inflacionin, që në shkurt 2023 ishte 7.1% dhe rritjen ekonomike të pritshme prej 2%, ecuria reale e të ardhurave tatimore ishte negative.
Në muajin shkurt arkëtimet nga TVSH-ja arritën ne 13.5 miliardë lekë, rreth 968 milionë lekë më pak se në shkurtin e vitit 2022. Sipas të dhënave të detajuara, tkurrja ka ardhur si nga tatimet ashtu dhe nga doganat.
Të ardhurat nga TVSH në dogana u tkurrën me 4.9% në shkurt me bazë vjetore, ndërsa nga TVSh e mbledhur nga tatimet ranë me 12.7% (gjithsesi rënia më e fortë e TVSH në tatime lidhet me shtimin e rimbursimit, teksa të ardhurat bruto nga TVSH-ja në tatime u rritën me 7.4%.
Në kontrast, të ardhurat bruto nga TVSH në dogana ranë me rreth 5% për shkurtin me bazë vjetore). Por, edhe duke përjashtuar rimbursimin, të ardhurat totale nga TVSH bruto ishin me rënie prej 1.6%, duke sinjalizuar për frenim të konsumit.
Nga tatimet kryesore, rritje më të madhe e patën të ardhurat nga TAP, që u zgjeruan me 24 për qind, me bazë vjetore, të ndikuara nga rritja e vazhdueshme e pagës minimale dhe e pagave në përgjithësi, që në 2022-n u zgjeruan me mbi 10%.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin në shkurt u rriten me 5.9 për qind, ndërsa për akcizën me vetëm 3.9 për qind.
Tatimet nga taksa nacionale që dominohen kryesisht nga renta minerare pësuan rënie me 12.7 për qind si pasojë e çmimeve në rënie të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Krizat e njëpasnjëshme dhe sidomos rritja e çmimeve vitin e fundit kanë ulur konsumin në disa kategori mallrash sidomos ushqimet.
Të dhënat nga INSTAT njoftojnë se për dy- mujorin e parë 2023 importet e grupeve kryesore të ushqimeve pësuan rënie dyshifrore në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, të matura në sasi.
Rënien më të madhe e kanë shënuar vajrat vegjetale me gati 40 për qind. Në janar- shkurt 2023 u importuan mbi 4 mijë tonë vajra vegjetale në krahasim me 6,996 tonë në të njëjtën periudhe të vitit 2022.
Tregtarët e pakicës pohuan se konsumi i vajit ka rënë dukshëm pasi nisi rritja e çmimit nga lufta në Ukrainë.
Pas vajit, rënia më e madhe ka vijuar me drithërat. Në 2-mujorin e parë 2023 importet e drithërave ranë me rreth 33%. Grosistët, pohuan se rënia e importeve të grurit, sidomos, po nxitet nga dy faktorë kryesorë. i pari dhe me i rëndësishmi lidhet me tkurrjen e popullsisë në vend.
Të dhënat zyrtarë nga agjencitë Britanike dhe Eurostat sugjerojnë se deri në fund të vitit të kaluar kishin ikur nga vendi më shumë se 30 mijë persona shumica e tyre të rinj, çka po ndihet në konsum.
Gjithsesi arkëtimet totale buxhetore në shkurt ishin 46.7 miliardë lekë me një rritje vjetore 11.5 % të ndihmuara nga disbursimi i një shume prej 5,5 miliardë lekësh nga fondet e donatorëve që kanë marrëveshje me qeverinë shqiptare.
Për dy mujorin, tatimet arkëtuan gjithsej 88.9 miliardë lekë, me zgjerim prej 4% me bazë vjetore.
Në total, të ardhurat buxhetore për 2 mujorin ishin 97.1 miliardë lekë, me zgjerim vjetor 10.8%, të ndikuara nga ecuria e mirë e ndihmave./Monitor/