Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo ka reaguar në lidhje me të ardhurat për frymë në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, Bozo tha se qeveria vazhdon të thyejë rekorde në vend-numëro dhe mbrapa-ecje. Sakaq shtoi se edhe në konsumin individual për frymë Shqipëria është e fundit.
“Mesatarja e të ardhurave të një shqiptari është sa 32 përqind e një qytetari europian. Çka do të thotë: më shumë se tri herë më pak. Shqipëria renditet më poshtë se të gjitha vendet e rajonit duke ndjekur madje edhe vende të pastabilizuara politikisht si Bosnje Hercegovina. Maqedonia është 10 pikë përqindje më lart se Shqipëria. Serbia 12 pikë më lart. Mali i Zi kryeson rajonin, duke shënuar thuajse gjysmën e të ardhurave për frymë të mesatares së BE. Për të plotësuar “Kriteret e Kopenhagenit” të konvergjencës ekonomike, kusht për antarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet plot një Shekull. Edhe në konsumin individual për frymë, që tregon fuqinë blerëse të qytetarëve dhe mirëqenien e një vendi Shqipëria është e fundit. Jemi të parët vetëm në numrin e atyre që braktisin atdheun dhe në propagandën qeveritare.
Pra, siç shihet “qentë lehin, por karvani NUK bën përpara”. Shifrat e Eurostat-it e bëjnë me dije fort mirë se kush janë qentë”, tha ai.