Të dënuar në total me 55 vjet burg për trafikim droge dhe shkelje të rregullave të imigracionit, Britania e Madhe ka kthyer në vendin tonë 23 shqiptarë problematikë.
Në njoftimin e qeverisë britanike thuhet se shqiptarët janë kthyer në atdhe ditën e djeshme me fluturim charter.
Ndërkohë, një nga personat e ekstraduar ishte arrestuar në qershor për trafik droge. Gjatë marrjes në pyetje ai tha se kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni në vitin 2021 dhe më pas jetonte aty ilegalisht.
Një tjetër i ekstraduar ishte futur në Mbretërinë e Bashkuar në bordin e një jahti në vitin 2021. Ai gjithashtu jetonte ilegalisht në ishull, derisa u arrestua së fundmi.
Mes të tjerëve të dëbuar, ishte edhe një burrë i dënuar me pesë vjet e gjysmë burgim për furnizim me drogë të klasit A.
Po ashtu, një tjetër ishte i dënuar me tre vjet e katër muaj burg për prodhim droge të klasit B.
“Këta kriminelë janë përgjegjës për veprat e tmerrshme të drogës, të cilat shkatërrojnë jetë, familje dhe komunitete. Ata kanë shkelur ligjet dhe vlerat tona, duke i lënë viktimat e tyre të jetojnë me plagët e krimeve të tyre. Publiku britanik nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë time për t’i larguar ata me të gjitha mjetet e disponueshme për t’i bërë rrugët tona më të sigurta”, tha Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel.
Zyra e Brendshme tha që nga marsi i vitit të kaluar, më shumë se 10,000 njerëz ishin larguar nga fluturimet e planifikuara dhe charter, me 86 fluturime në total, në 13 vende të ndryshme.