Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka komentuar nismën për amnistisë në burgje që pritet të bëhet këtë fundvit.
Manja tha të gjithë të paraburgosurit dhe të dënuarit do të votojnë në zgjedhjet vendore 2023.
Sakaq theksoi se asnjë i dënuar për vepra të rënda nuk do të përfitojë nga kjo amnisti.
“Unë kam ardhur në komision dhe për të ndryshuar një standard se diskutimi për buxhetin është politik e pastaj teknik. Nuk mund të vijë një institucion i varësisë për të diskutuar buxhetin, se po të ishte i karakterit teknik shifrat janë aty e diskutimi do ishte i mbyllur. Pra është standard që ne e vendosim. Lidhur me amnistinë penale dua të jem i qartë, se sa herë ka periudha zgjedhore e flitet për amnisti penale ka tendencë për t’i gërshetuar këto dy gjëra. Amnistia penale është traditë, niset nga parimet e humanizmit e qëllimeve që ka dënimi, është ushtruar herë pas herë amnistia, ka pasur që në 2013 e fundit është bërë në 2020, jemi në një proces të studimit e analizimit të gjithë faktorëve e indikatorëve që merr në konsideratë një amnisti penale e pse jo ministria e drejtësisë do propozojë por që s’ka lidhje me zgjedhjet se të paraburgosurit e ushtrojnë të drejtën e votës dhe pa pasur amnisti. Të paraburgosurit dhe të dënuarit do votojnë. Sa e gjerë do jetë kjo amnisti nëse do ketë ndjekjen penale, gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve penale, pra të tre fazat, këtë po e studiojmë në ministri me Drejtorinë e Burgjeve. As ka patur dhe as nuk do të ketë amnisti penale për personat që janë dënuar për vepra të rënda penale. Flitet për amnisti për persona që kanë kryer vepra të lehta penale. Nëse do të ketë amnisti penale do të ketë për persona për vepra të lehta penale, asnjë tjetër nuk përfiton. Askush mos i mbajë veshët ngritur nga banorët rezidentë atje se do të ketë amnisti për boshatisjen e burgjeve”, tha ai.