Pranvera Dhimitri është 33-vjeç nga Përmeti, nënë e dy djemve autikë, njërin 11-vjeç dhe tjetri 6.
Teksa të tregon për vështirësitë e jetës në qytetin ku ka lindur dhe jeton, lot i rrjedhin faqeve. Ajo thotë se i ka ndjekur fëmijët në Tiranë, në Qendrën Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në Kombinat por prej 2 vitesh, fëmijët po marrin shërbim në qendrën e re komunitare që ofron shërbime sociale për fëmijët me aftësi ndryshe në qytetin e Përmetit, pjesë e Programit të Përbashkët “Askush të mos mbetet pas/Leave No One Behind” (LNB2), 2021-2025, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Shqipëri, dhe zbatuar nga UNDP.
Pranvera thotë se djali i madh frekuenton shkollën, klasën e dytë, kurse I vogli do të hyjë këtë vit në klasën e parë.
“Në moshën 2 vjeç e gjysmë e kam kuptuar se diçka nuk shkonte me djalin e madh, ai nuk fliste dhe nuk ishte si të gjithë. Deri sa bëri 9 vjeç e kam ndjekur në Tiranë, me shpenzime të mëdha. Im shoq është emigrant në Greqi dhe vetëm me të ardhurat e tij mbahemi.
Me lindjen e djalit të dytë e kuptova se dhe ai kishte probleme njësoj si i pari. Tashmë duhet të ndjek gjatë ditës të dy djemtë, në shkollë dhe qendër”, tregon Pranvera.
Megjithëse qendra ofron terapi zhvillimi, nevoja e djemve të Pranverës është për logopedistë.
“Qendra na ofron shërbime në një pjesë të mirë të ditës por nuk ka logopedistë. Mjekët specialistë më kanë thënë se djemtë kanë nevojë për këtë shërbim sepse nuk flasin mirë. Për këtë shkak ata tallen nga shokët ne shkollë. Nuk dalin nga shtëpia, më thonë se shokët i qëllojnë”, thotë gruaja e re dhe lot sërish i rrjedhin faqeve.
Drejtuesit e qendrës komunitare në Përmet thonë se kanë bërë kërkesë pranë bashkisë për plotësim të stafit me ekip mjekësh të specializuar, logopedistë e psikologë, por deri tani nuk është afruar asnjë prej tyre.
“Një psikologe që kemi vjen nga Këlcyra, një herë në dy ditë për të kryer terapitë e zhvillimit me fëmijët me aftësi ndryshe. Logopedistët mungojnë sepse të rinjtë tanë që studiojnë në Tiranë, vendosin të qëndrojnë aty e të punësohen dhe nuk kthehen në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre’, thotë përgjegjësja e qendrës.
E ndërsa nevojat e fëmijëve për terapi rriten me moshën, Pranvera thotë se në qytete të vogla, bullizmi ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe është i madh e për fat të keq as shkolla nuk i përkrah.
“Ata nuk flasin si ne, më thonë shokët e djalit kur i them pse e qëllojnë. Unë nuk e di si do të jetë e ardhmja e tyre, por shërbimet duhet të jenë në qendër për të gjithë”, thotë Pranvera.
Në qendrën komunitare të Përmetit, mes prindërve është dhe një gjyshe nga Piskova, një fshat afër qytetit. E moshuara tregon se nipi i saj, (djali I vajzës), frekuenton këtë qendër. Edhe ai e vuan bullizmin në shkollë ku duket se as autoriteti i mësuesve nuk njihet.
“Janë fëmijë që duan dashuri dhe të pranohen. Por as në shkollë nuk përkrahen. Nëse ankohesh te mësuesja ajo i thotë fëmijëve që të mos i ngacmojnë djemtë autikë sepse ata nuk janë si ju. Që këtu fillon diferencimi”, thonë prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe.
Programi “Askush të mos mbetet pas/Leave No One Behind” mbështet disa zona gjeografike (30 nga 61 bashki) në mënyrë që të kenë kapacitetet e duhura për të ofruar shërbime sociale të integruara dhe mbuluar nevojat e popullatës vulnerabel.
UNDP po mbështet këto bashki dhe të tjera në Shqipëri për të dizenjuar modele të reja të shërbimeve sociale me bazë komunitare për grupet në nevojë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, duke synuar të sigurohet përfshirja e individëve me të dizavantazhuar ose margjinalizuar.
Të jetosh me autizëm/ Nëna e 2 fëmijëve nga Përmeti: Qendra komunitare, zgjidhja e nevojshme por mungojnë logopedistë
Leave a comment