Të ‘kapur rob’ nga stuhia/ Pasagjerët e izoluar në tragetin Brindisi-Vlorë detyrohen ta hanë nga 15 euro një pjatë makarona…  

Kanë kaluar një peripeci të vërtetë që i trembi jo pak, në një kohë që ishin të detyruar t’u përshtateshin kushteve aspak të mira të tragetit ku kishin mbetur si “pengje”.

Kjo gjë ndodhi sot me pasagjerët e tragetit Brindisi-Vlorë, të cilët zbarkuan pas më shumë se 19 orësh qëndrimi në det në gjirin e Vlorës.

Por më “dinake” dhe spekulative duket se është treguar kompania e udhëtimit dhe ekuipazhi i anijes, që duke përfituar nga situata ua ka shitur “sapunin për djathë” të gjithë pasagjerëve të “robëruar” në anije prej stuhisë.

Për mediat, disa prej tyre treguan se nuk i’u afrua asgjë falas nga kompania e udhëtimit, duke u detyruar të paguanin 15 euro për një pjatë makaronash dhe 2 euro për një shishe me ujë.

“15 € një pjatë makarona”/ Pasagjerët rrëfejnë momentet e “tmerrit” në det të hapur: Pritej vetëm vdekja!

Rrëfimet e pasagjerëve

“- Për ne që ishim të rinj jo, por për ata që ishin të vegjël dhe të moshuar ishte e lodhshme. Nuk na ka lajmëruar askush. Kemi blerë atje ushqimin, 15 euro një pjatë makarona. Çdo gjë i kemi blerë vetë. Dallgëzim shumë. Kishte njerëz pa dhoma.

– Jemi nisur që pardje. Ishte shumë e lodhshme, e mundimshme. Mbi të gjitha e turpshme. Absolutisht asnjë njoftim. Hiç asgjë për të ngrënë nuk na dhanë. Vetë kemi blerë. Nuk merr askush në konsideratë. Ça do na bënin vetëm të na vrisnin! Asnjë shpjegim, vetëm kushtet klimatike thonin. Pritej vetëm vdekja sigurisht. Fëmijë të vegjël kishte që qanin.

– E lodhshme ishte. U shqetësuam, çfarë të bënim. Na njoftuan që është një defekt dhe ka dallgë. Normale nuk është po çfarë të bëjmë. Nuk kishim dhomë, kemi ndenjur në stol. Kemi fjetur aty.

– Kemi ndejt 12 orë. Shumë e vështirë. Po kena paguar vetë për ushqimet. Ndihmën që mos me u shqetësu kaq na kanë dhënë. Kemi komunikuar me familjarët.

– 20 orë në det, jemi lodhur dhe rraskapitur. Askush nuk e vriste mendjen. Asnjë njoftim. S’është normale. Të lësh njerëzit aty pa ushqim. Kemi paguar nga xhepi. Një shishe ujë 2 euro”.

Trageti i linjës Brindisi-Vlorë u nis me vonesë për shkak të motit të keq nga Italia, ndërsa qëndroi për mbi 10 orë në ujërat e Vlorës, pas stuhive të forta dhe dallgëve të dendura.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *