Nëse ekziston një frut që të bën shumë mirë ajo është molla. Molla njihet për vlera dhe përbërës të jashtëzakonshëm ushqimorë që të mbrojnë nga një sërë simptomash dhe sëmundjesh. Dy zonat që mbahen për prodhimin më të lartë të mollëve në vendin tonë janë Korça dhe Dibra. Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Delicious, Red Chief dhe Starking.
Mollët jeshile zakonisht janë më të tharta dhe kanë një lëvore më të trashë. Por në të njëjtën kohë, ato kanë më pak sheqer. Mollët jeshile kanë më shumë vitamina A, B, C, E dhe K në krahasim me mollët e kuqe. Kanë përmbajtje të lartë hekuri dhe kaliumi. Ato gjithashtu përmbajnë më shumë fibra dietike madje edhe proteina.
Sidoqoftë, ato janë pak të tharta dhe të ëmbla në shije. Por, nga ana tjetër, mollët e kuqe kanë më shumë antioksidantë si të gjitha perimet dhe frutat e tjera të kuqe. Nutricionistët pajtohen, nëse qëllimi juaj është të ulni sheqerin, atëherë mollët jeshile janë vërtet më të shëndetshme. Në planin afatgjatë, nuk do të ketë ndonjë ndryshim se cilën ngjyrë të mollës preferoni të hani.
Në fund të fundit, më të vlefshmet në to janë pektina, kuercetina dhe flavonoidet, të cilat janë njëlloj të pranishme në të gjitha llojet e mollëve. Ndërkaq, uthulla e mollës është bërë një ilaç mjaft popullor vitet e fundit dhe pse më parë është përdorur për shekuj në gatim dhe mjekësi.
Mendohet se ndihmon me një gamë të gjerë çështjesh shëndetësore, duke përfshirë kolesterolin e lartë, nivelet e sheqerit në gjak, obezitetin dhe presionin e lartë të gjakut. Thuhet gjithashtu se ndihmon me ekzemën dhe refluksin e acidit në stomak, por kjo nuk është vërtetuar shkencërisht.