“Të liberalizuarit”, ERE: Subjektet në tension të mesëm çmim 18.26 lekë/kwh për gjithë 2023-in

Bizneset pjesërisht në treg të lirë ku përfshihen ata në tension 20,10,6 kilovolt do të kenë çmim të njëjtë nga 1 janari deril në 31 dhjetor të këtij viti. Enti Rregullator i Energjisë në mbledhjen e tij të fundit përcaktoi se ky çmim do të jetë 18.26 lekë.

Këto biznese u nxorën në treg të parregulluar në 1 janar të vitit 2022 por për shkak të krizës së energjisë që kishte disa muaj që kishte filluar dhe çmimeve të larta ato kundërshtuan këtë masë.

Në atë kohë shumë biznese paralajmëruan se do të kishin mbyllje të fabrikave dhe në tryezë me qeverinë dakordësuan që të merrnin një çmim më të ulët sesa ai në treg të lirë por 70 për qind më të lartë se ai në tregun e rregulluar.

Nëpërmjet një marrëveshjeje mes KESH dhe OSHEE u sigurua energji me 12 lekë/kWh që ishte e destinuar për këtë grup biznesi dhe pas aplikimit të tarifave të tjera si transmetim, shpërndarje çmimi rezultoi mes 18-19 lekëve dhe u bë bazë miratimi mujor nga ERE.

Tashmë duke parë situatën në tregun e lirë dhe krizën e energjisë që ende vijon te jetë prezentë ky çmim do të aplikohet për subjektet në tension të mesëm deri në fund të vitit. Ndërkohë që gjendja e emergjencës është në fuqi deri në mes të këtij viti.

Enti Rregullator i Energjisë miratoi edhe çmimin për subjektet e lidhur në tension 35 kilovolt por për këtë kategori çmimi u miratua vetëm për muajin janar duke u caktuar në 32.27 lekë dhe do të jetë objekt rishikimi në bazë mujore sipas të dhënave që dërgohen nga operatorët e tregut që sigurojnë blerjen e energjisë si Furnizues të Mundësisë së Fundit.

Edhe për këtë grup qeveria nënvizoi se do të kishte një ndërhyrje përmes një mekanizimi ku KESH hyri në procedurën e mbajtur nga Furnizuesi i Tregut të Lirë duke ofruar një çmim më të leverdishëm sesa operatorët e tjerë privatë.

Bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt janë më të paktët në numër. Në 1 janar 2018 kur dolën në treg të lirë numëroheshin rreth 96 subjekte ndërkohë që grupi me numrin më të lartë të subjekteve është ai në tension të mesëm ku për 20,10 dhe 6 kilovolt llogariten mbi 7600./monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *