Policia e Shtetit pretendon se dy ministrat Elisa Spiropali e Niko Peleshi si dhe ish-ministrja Mimi Kodheli nuk janë të përfshirë në ngjarje kriminale.
Pas publikimit të një database që sipas hakerave iranianë është e MEMEX, Policia e Shtetit thotë se po verifikohet origjina e të dhënave. PSH thekson se këto nuk janë të dhënat zyrtare të databazës MEMEX të Policisë së Shtetit që përbëhet nga të gjithë personat me precedent penalë, por që verfikimet janë në vijim e sipër.
Mediat iu drejtuan me një kërkesë zyrtare Policisë së Shtetit për të mësuar nëse këta zyrtarë janë të dyshuar si të përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale. Përmes Koordinatorit për Informim Gentian Mullaj, Policia e Shtetit tha asnjëri prej 2 ministrave dhe ish-ministres nuk janë të dyshuar.
“Kategorikisht nuk janë të përfshirë në veprimtari kriminale apo në hetime për ngjarje kriminale, as dy ministrat dhe as ish-ministrja, po ashtu edhe shumë emra të tjerë të publikuar nga hakerat, në këto lista”, tha Policia në reagimin për median.
Por si e justifikon policia e Shtetit prezencën e këtyre emrave në këto lista të publikuara nga hakerët?
“Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave”, u tha në reagimin e policisë
Mes emrave të kësaj liste misterioze të publikuar nga hakerat iranianë që siç thotë Policia e Shtetit nuk kanë asnjë lidhje me ngjarje kriminale, janë dhe shumë qytetarë të thjeshtë, por edhe gazetari i mirënjohur Armand Shkullaku.
Burimet zyrtare policore instistojnë që lista MEMEX që hakerat pretendojnë të kenë publikuar dhe që zyrtarisht duhet të ketë emrat e të dyshuarve, nuk është origjinale, duke saktësuar se të dhënat e nxjerra nuk kanë lidhje me databazën e sistemit policor MEMEX.
/Report Tv