Banorët e fshatit Lekaj kanë dalë në protestë ditën e sotme në rrugën dytësore të aksit Kavajë – Rrogozhinë. Ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për mbylljen e një kanali vaditës 4 metra të thellë dhe 1.5 metra të gjatë, që sipas tyre është një burim aksidentesh për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve që kalojnë aty.
“Këtu ndodhemi sipër kanalit “Peqin-Kavajë”, kjo hapësirë (kanal) është burim aksidentesh. Një person ka rënë së fundmi me biçikletë dhe është në gjendje të rëndë. I bëj thirrje ARRSH-së të marrë masa”, tha një banor.
“Ky është burim aksidentesh, e kam shtëpinë 50 metra larg dhe e shoh se çfarë ndodh. Sa bie mbrëmja ndodhin aksidentet se nuk ka asnjë tabelë as ndriçim. Shoferët nuk e dallojnë kanalin dhe bien brenda! Ky është një vend që duhet mbyll se s’bën. Çfarë i kushton shtetit ta rregullojë?! Ose të paktën të na lejojnë se e bëjmë ne”, thanë të tjerë banorë të zonës.
/Burimi: Report.tv/