Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me Përfaqësuesen e Lirisë së Medias të OSBE, Teresa Ribeiro. Përmes një postimi në “Facebook”, ai ka theksuar se media e lirë është një nga shtyllat parësore të demokracisë. Presidenti Meta shkruan se “Të gjithë së bashku duhet të angazhohemi, që në asnjë rrethanë, jeta, karriera dhe kushtet e punës së gazetarëve profesionistë të mos cenohen prej askujt me pushtet politik apo ekonomik”.
Ndër të tjera, kreu i shtetit ka shpërndarë dhe foto nga takimi.
Mesazhi i Metës:
Kënaqësi të takohesha me Përfaqësuesen e Lirisë së Medias të OSBE, Znj.Teresa Ribeiro.
Theksova se media e lirë është një nga shtyllat parësore të demokracisë. Aty ku nuk funksionojnë institucionet demokratike dhe nuk respektohen të drejtat themelore, aty gjen gjithnjë e më shumë censurë dhe autocensurë mediatike.
Me këtë rast, falenderova Znj.Ribeiro për kontributin, që OSBE dhe Zyra e saj, kanë dhënë në mbështetje të medias së lirë dhe të pavarur, si dhe përpjekjen e tyre për të prapësuar nismat, që synojnë kufizimin apo kapjen e hapësirës mediatike në Shqipëri.
Të gjithë së bashku duhet të angazhohemi, që në asnjë rrethanë, jeta, karriera dhe kushtet e punës së gazetarëve profesionistë të mos cenohen prej askujt me pushtet politik apo ekonomik.
/Priza.al/