Një grup prej 24 deputetësh të Partisë Demokratike janë mbledhur në një lokal në Tiranë për të diskutuar mbi të ardhmen e aksionit të tyre politik, edhe pse në grup kishte edhe kundërshtarë të kreut të PD Sali Berisha.
U bë me dije se deputetët ku bëjnë pjesë emra si Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi, Grida Duma apo Ervin Salianji po diskutojnë për situatën në PD, ku prej muajsh nuk është gjendja e qetë dhe normale.
Ndërkohë që është arritur të mësohet se shumë nga deputetët e selisë blu i kanë komunikuar se ndjenin keqardhje që PD nuk ishte e përfaqësuar sot në Bruksel, kur shënohej kjo ditë historike për Shqipërinë, siç është nisja e bisedimeve të anëtarësimit.
Kjo mungesë në tryezë sipas shpjegimeve të tyre është pasojë e problemeve të brendshme në parti.
Ndërkohë, mësohet se kanë qenë Lefter Gështenja dhe Flamur Hoxha ata që kanë ftuar deputetët që të diskutojnë për të ardhmen në PD.
Këta deputetë, më saktë shumica e tyre iu bashkuan protestës së thirrur nga Sali Berisha kundër kryeministrit Edi Rama. Protesta e 7 korrikut ishte pika kur shumë deputetë që ishin kundër Berishës u bashkuan me të, por ata kërkuan që pjesëmarrja të lexohej si bashkim me kauzën kundër Ramës dhe jo për Berishën personalisht.
Gjithsesi mbetet për t’u parë në PD do të unifikohet edhe pas thirrjes në konferencën e fundit për mediat të kryetarit të saj Sali Berisha që i ftoi të gjithë deputetët që deri më tani i kishin dalë kundër ose kanë qëndruar në hije, që t’i bashkohen.