Nga Vlora, ku mori pjesë në ceremoninë e vlerësimit të pesë Heronjve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët dhanë jetën për lirinë e Atdheut, presidenti Meta ka dhënë një tjetër mesazh të rëndësishëm për zgjedhjet.
Kreu i Shtetit i mëshoi fort faktit se lirinë mund ta mbrojmë vetëm duke forcuar demokracinë, dhe duke refuzuar shtypjen shoqërore. Ai ftoi të gjithë vlonjatët që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, dhe të tregojnë fuqinë e tyre përmes votës së lirë dhe të barabartë.
“Është detyrimi i çdo brezi ndaj historisë sonë të përbashkët, dhe ndaj së ardhmes europiane të Shqipërisë. Ky nderim është edhe vlerësim i respektit dhe dinjitetit si shqiptarë.
Sot nuk duhet të lejojmë nga askush që të eklipsohet drita e flakës së lirisë që ata ndezën. Dhe lirinë mund ta mbrojmë vetëm duke forcuar demokracinë, dhe duke refuzuar çdo lloj shtypje shoqërore.
Ndaj ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, dhe të tregojnë dinjitetin e tyre dhe njëkohësisht fuqinë e tyre përmes votës së lirë dhe të barabartë”, tha Meta.