Sot është dita e rinisë. Nuk do doja kurrë të isha në “këpucët” tuaja të rinj të sotëm, keni një jete të vështirë dhe mizerabel, jeni thjeshtë marioneta të pafajshme të “modës”, “politikës”, “tregut”.
Janë ato qe ju diktojnë, se kur dhe si jeni të “suksesshëm”, të “bukur”, të “duhurit”..dhe ne prindërit tuaj, ju tregojmë përralla me vuajtje e gjëra, kur në fakt jeni ju ata që duhet të na akuzoni për paburrëri, për tradhti ndaj jush, për idiotizëm, për hipokrizi..për rrënimin e të ardhmes suaj.
Ne rininë tonë, ne “s’kishim” aq sa ju, por ishim zot të vetvetes.
Me një palë pantallona dhe një bluzë ne kishim vendin tonë ne shoqëri, në bazë të vlerës njerëzore, dijes, punës. Ne kishim mundësinë e krijimit të familjes, kësaj strehe prefekte të njerëzimit, të krijuar nga perëndia apo njeriu..
Ndërsa ju?
Juve ju duhet të blini telefonin më të fundit, pavarësisht gjendjes apo dëshirës, që t’ju pranojnë në shoqëri.
Juve ju duhet te bëni pushimet me ekstravagante, ne vendet më të pa vlera por dhe aq te shtrenjta për ju dhe familjen tuaj, të ndjeheni pjese e shoqërisë. Juve ju duhet te gjeni një pune, te bëni një karriere, të keni x-para, x-veshje, x-makinë që të gjeni gjënë me të thjeshtë e pa kosto te jetës, dashurinë, lidhjen mes jush. Ju mbushni boshësinë që krijoi kjo bote dhe egoja jone për ju, me drogë, seks, pije a ku e di unë çfarë..dhe ndjeheni çdo ditë me bosh.
Ne kishim tërë dashuritë e botes dhe njerëzve dhe u mbushnim me to. Juve ju shtrydhin nga çdo gjë njerëzore çdo dite, juve ju kane bere te jetoni për të tjerë, se çfarë thonë dhe çfarë bëjnë.
Ne jetonim jetën tonë, të dhuruar nga sakrificat e prindërve tanë, në një botë të thjeshte dhe aq njerëzore..
Ju ju duhet të hiqeni të suksesshëm, ne ishim.
Nga Amarildo Pregapuca