Presidenti Ilir Meta thotë se Shqipëria mban vendin e parë në rajon për nivelin e lartë të varfërisë, çmimeve dhe borxhit publik. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit iu referohet të dhënave të EUROSTAT për vitin 2020, teksa shkruan se vendi ynë është i fundit në Europë për të ardhurat për frymë e konsum.
Meta bën thirrje që të rishikohet Buxheti i Shtetit që ai t’u vijë në ndihmë “qytetarëve, të shtresave më në nevojë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit, duke investuar në mënyrë konkrete aty ku duhet të jenë përparësitë, jo tek koncensionet, inceneratorët dhe PPP-të”.
Është koha për të rishikuar Buxhetin e Shtetit në mbështetje të qytetarëve, të shtresave më në nevojë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit, duke investuar në mënyrë konkrete aty ku duhet të jenë përparësitë, jo tek koncensionet, inceneratorët dhe PPP-të”, shkruan Meta.
POSTIMI I PLOTE
TË FUNDIT për TË ARDHURAT për frymë dhe KONSUM individual.
Shqipëria renditet e para në rajon për nivelin e varfërisë, të çmimeve dhe borxhit publik dhe e fundit në Europë për të ardhurat për frymë e konsum.
Sipas të dhënave të EUROSTAT për vitin 2020, Shqipëria rezulton se të ardhurat për frymë i ka 30% të mesatares së Bashkimit Europian, pas saj renditet Bosnje dhe Hercegovina me 33%, Maqedonia e Veriut me 38%, Serbia 43% dhe Mali i Zi me 45%.
Për konsumin individual për frymë, që mat mirëqenien familjare, Shqipëria është sërish e fundit në Europë, me 39% të mesatares së BE-së, përkundrejt 42% në Bosnje dhe Hercegovinë, 43% në Maqedoninë e Veriut, 51% për Serbinë dhe 59% për Malin e Zi.
Ndërkohë niveli i çmimeve në Shqipëri, së bashku me Malin e Zi, është më i larti në rajon me 53.5%, Serbia 52.3%, Bosnjë-Hercegovina 51.9% dhe Maqedonia e Veriut me 46%.
Gjithashtu, Shqipëria pas Malit të Zi, renditet ndër vendet me nivelit më të lartë borxhit publik me 77.9%, e ndjekur nga Serbia me 58.9%, Maqedonia e Veriut me 51.3%, Bosnje dhe Hercegovina me 36.7% dhe Kosova me 24.1%.
Sa i përket nivelit të varfërisë, Shqipëri mban vendin e parë me rreth 33% të popullsisë me të ardhura nën 5.5 $ në ditë, duke lënë pas Kosovën me 23.4% e popullsisë, Malin e Zi me 20%; Maqedoninë e Veriut me 18% dhe Serbinë 18.4%.
Në ligjin për “Buxhetin 2022” konstatova se Qeveria nuk ka marrë masat e duhura ekonomike dhe sociale për të përmirësuar të gjithë këto tregues negativë. Për këtë arsye vendosa të mos ta dekretoj me miratim “Buxhetin 2022”, që thellësisht është ANTISOCIAL.
Është koha për të rishikuar Buxhetin e Shtetit në mbështetje të qytetarëve, të shtresave më në nevojë dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit, duke investuar në mënyrë konkrete aty ku duhet të jenë përparësitë, jo tek koncensionet, inceneratorët dhe PPP-të.
/Priza.al/