Gratë që jetojnë në qytet, që janë me nivel arsimor të lartë, të punësuarat dhe të pamartuarat janë më në rrezik për t’u prekur nga tumori i qafës së mitrës.
Sipas programit të depistimit, më i fundit që është realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik në fund të vitit 2019, prevalenca e përgjithshme e HPV-së me rrezik të lartë ndër pjesëmarrëset në program ishte 6.1%. Ky rezultat ishte më i lartë tek gratë e zonat urbane.
Por pse këto kategori janë më të rrizikuarat ?
Mjekja gjinekologe në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë, Amarda Pihoni thotë se shkak i prevalencës së lartë sidomos tek gratë e pamartuara është mungesa e jetës aktive seksuale, gjatë së cilës evidentohen më shpesh problemet e HPV (Virusi i Papilomës Humane që shkakton tumorin në qafën e mitrës).
Këtë e vërtetojnë dhe rezultatet e depisitimit ku gratë që rezultuan positive me HPV raportuan se kishin përdorur më shpesh shërbimin e pap-testit në të shkuarën, krahasuar me gratë negative.
“Duke qenë se gratë pozitive me HPV i përkasin një shtrese socio-ekonomike më të lartë dhe banore të zonave urbane, ato mund të kenë qenë përdoruese më të shpeshta të një shërbimi shëndetësor, i cili është kryesisht oportun dhe me kosto shtesë”, thuhet në relacionin e përgatitur nga ekspertët e shëndetit publik.
Nga ana tjetër, gratë e shtresave socio-ekonomike më të ulëta dhe banore të zonave rurale, kishin prevalencë më të ulët të infektimit me HPV dhe ishin më të prirura për të përdorur programin kombëtar të depistimit sistematik, të joshur nga mundësia që ai ofron sa I përket aksesit të lehtë dhe kostove të papërfillshme.
Shpërndarja gjeografike
Numri më i madh i grave më në rrisk për t’u prekur nga tumori i qafës së mitrës ishin rrethet Tiranë, Vlorë, Lezhë, Gramsh, Gjirokastër dhe Devoll.
Prevalencë më e ulët u konstatua në Has, Peqin, Përmet, Malësi të Madhe dhe Kukës.
Ekspertët e shëndetit publik përjashtuan infektimin nga partneri por konsiderojnë si faktor rrisku për rritjen e infektimit me HPV duhanpirjen.
“Rreth 6.5% e grave që morën pjesë në program ishin më të reja ose më të moshuara se grupmosha e synuar (target) nga programi (40-49). Këto gra paraqesin një prevalencë më të lartë të infektimit me HPV (7.1%).Rreth 81% e grave që ishin pozitive me HPV kishin njohuri për parandalimin dhe 46% e tyre kishin njohuri për infeksionin e HPV. Në të dy këto raste, shkalla e ndërgjegjësimit rritej me rritjen e nivelit arsimor.
Programi kombëtar i depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri ka qëllim që brenda pesë vitesh, të gjitha gratë nga mosha 40-49 % të mund të bëjnë një test për depistimin e Virusit të Papilomës Humane (HPV) me rrezik të lartë.
Deri në 1 dhjetor 2019, u mblodhën më tepër se 12300 mostra nga rreth 13900 kite testimi të shpëndarë në qendrat shëndetësore.
Pjesa më e madhe e gjinekologëve (68%) kanë rekomanduar teste të tjera për gratë positive gjatë vizitës në vijim, ku 50% të grave u është rekomanduar citologji dhe 15% të tyre biopsi.
Afro 4% e grave pozitive me HPV raportuan rezultate kompatibël me para-kancerin ose kancerin, ndërsa 73% e tyre raportuan rezultate negative pas vizitës tek gjinekologu./Gazeta Si