Një konflikt u raportua më herët në Durrës për shkaqe pronësie, i icli degradoi deri në shtëna me armë zjarri. Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe policia e Durrësit, ku bën me dije se në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës. Sipas policisë konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.
Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë. Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.
Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt.