Dy efektivë policie janë vrarë në orët e para të mëngjesit të së hënës në Gjermani.
Sipas Bild, policët ndodheshin në krye të detyrës gjatë një kontrolli trafiku në rrethin Kusel në Rheinland-Pfalz. Të shtënat fatale për dy efektivët janë regjistruar rreth orës 04:20 të mëngjesit. Sipas informacioneve, ata dërguan fillimisht një mesazh radiofonik ku thuhej se kishin ndaluar një automjet të dyshimtë për kontroll.
Menjëherë pas kësaj thirrje ka ardhur edhe një mesazh i dytë “Ata po qëllojnë mbi ne”, janë shprehur dy efektivët dhe më pas kontakti i radios është shkëputur.
Por kur policia mbërriti në vendngjarje, dy efektivët u gjetën të vdekur. Sipas hetuesve dy persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj tyre dhe i lanë të vdekur në vend dhe më pas janë arratisur. Sipas informacioneve nuk ka asnjë përshkrim të autorëve apo mjetit me të cilin janë arratisur, ndërsa policia është vënë në kërkim të tyre.
“Kolegët njoftuan përmes radios se po kontrollonin një automjet. Menjëherë pas kësaj, ata raportuan se kishte të shtëna. Më pas kolegët gjetën të vdekur.”- tha një zëdhënës i policisë.
/Burimi: Bild/