Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e djeshme pranë patrullës së KFOR-it, të vendosur në veri të Kosovës. Në një deklaratë të misionit të NATO-s thuhet se nuk pati dëme në njerëz e as dëme materiale nga të shtënat që u dëgjuan në rajonin e Zubin Potokut.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas kësaj ngjarjeje, duke e konsideruar atë ‘lojë’ të presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Në një postim në rrjetin social Facebook, Sveçla shkroi se instrumentet kriminale të Vuçiç vazhdojnë.
“Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”, shkroi ai.
Ministri i Brendshëm tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan destabilitet. Sveçla u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit.