Katër policë janë pezulluar pas të shtënave me armë zjarri të regjistruara në orët e vona të së hënës në Mitrovicë. Njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të plagosur një person.
Ndërsa masa e pezullimit është marrë edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë policorë që dyshohet se kanë qenë të pranishëm në momentin e të shtënave me armë.
Kështu ka bërë të ditur policia përmes një komunikate për media, ku thuhet se pas hetimeve të pandërprera është arritur që të sigurohen dëshmi të tilla.
“Policia e Kosovës, lidhur me rastin ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.