Ndërsa 30-ave fillojnë të afrohen, shumë njerëz ndihen se dalëngadalë po futen në një cikël jete paksa të frikshëm. Disave u duket sikur rinisë dhe bukurisë po u vjen fundi dhe presioni i shoqërisë për t’u bërë prindër sa vjen e shtohet. Disa të tjerëve u duket se trupi i tyre po ndryshon e nuk ka më kthim pas dhe shqetësohen se vitet më të mira sa i përket marrëdhënieve romantike iu ka afruar afati i skadencës. Sigurisht, jemi duke u treguar pak dramatikë, por dihet se perceptimet e njerëzve për këto vite që ikin janë të ndryshme, sikurse ata vet janë të ndryshëm. Duhet të keni parasysh se ndryshimet nuk janë gjithnjë negative, pasi me moshën vjen përvoja, besimi në vete dhe aftësi të reja.
Në vijim dëshirojmë t’ju tregojmë disa nga ndryshimet më të zakonshme që vajzat dhe gratë raportojnë se kanë vënë re pas të 30-ave:
Shanset për të mbetur shtatzënë ulen
Një nga shqetësimet më të mëdha kur mbushim 30 vjeç është çështja e fertilitetit. Natyrisht që ky nuk është një shqetësim për këdo, pasi shumë gra vendosin të mos bëhen prindër. Megjithatë, për ato të cilat duan vërtetë, ky shihet si një problem i madh. Sipas Brian A. Levine, i cili punon me “CCRN” për kërkime të zgjeruara rreth shtatzënisë, fertiliteti fillon të bjerë në moshën 32 vjeçare. Ai gjithashtu tregon se gjatë këtij stadi jetësor, vezët janë më të rrezikuara për të pasur kromozome anormale që ulin cilësinë e tyre dhe ndikojnë në procesin e fekondimit.
Flokët fillojnë të rrallohen
Sipas kirurgut dermatolog Sejal Shah, gjatë të 30-ave flokët dhe vetullat nisin të rrallohen dhe gradualisht të thinjen. Patjetër që faktori gjenetik duhet marrë parasysh gjithashtu, por në pjesë më të madhe të rasteve, ky process nis rreth kësaj moshe.
Metabolizmi nis të ngadalësohet
Sipas Dr. Hodon, pas të 30-ave metabolizmi nis të ngadalësohet dhe rënia nga pesha bëhet më e vështirë. Ky ngadalësim ndikon gjithashtu në shfaqjen e thinjave dhe krijimin e rrathëve të zinj.
Shfaqen rrudhat e para
Sipas dermatologut Joshua Zeichner, prodhimi i kolagjenit nis të ulet, ndaj për ta parandaluar këtë këshillohet përdorimi i retinolit që pas moshës 25 vjeçare. Ai duhet përdorur çdo natë përpara kremit hidratues dhe mund ta vendosni dhe në zona të trupit të cilat kanë tendencë t’u krijohen rrudha si duart dhe qafa.
Cikli juaj menstrual ndryshon
Dr. Hogon thotë se ulja e hormoneve të rëndësishme si estrogjeni dhe progesteroni ndikon në ciklin menstrual dhe mund të sjellë menstruacione të parregullta, më të rënda, më të lehta dhe ndryshime drastike. Disa gra mund të fillojnë të përjetojnë edhe simptomat e para të perimenopauzës.