‘Të thyejmë modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë’/ Yuri Kim pas vendimit të ONM-së për Elisabeta Imerajn: Tregoni guxim dhe integritet!

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka reaguar lidhur me rekomandimin e ONM-së, drejtuar Komisionerit Publik për të ankimuar vendimin e KPK për kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Në një status në Twitter, Kim shkruan se të gjithë duhet të shohim se çfarë do të ndodhë më pas, nëse komisionerët do të tregojnë integritet për të vendosur drejtësi apo do të devijojnë siç ka ndodhur në të shkuarën, kur kanë marrë telefonata dhe kanë heshtur. Të njëjtin mesazh, Kim ka dhënë edhe për mediat, të cilat sipas saj duhet t’i shërbejnë opinionit publik.

“Në përputhje me rolin e tyre kushtetues në procesin e vetingut, vëzhguesit ndërkombëtarë dje u rekomanduan Komisionerëve Publikë që të apelojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për një çështje të rëndësishme. Të gjithë duhet të shikojmë nga afër se çfarë ndodh më pas. A do të jetë përgjigjja për të treguar guxim dhe integritet për të dhënë drejtësi apo, siç e kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, për të devijuar përpjekjet duke sulmuar procesin e vetingut dhe duke shpifur vëzhguesit ndërkombëtarë? A do t’i shërbejnë mediat publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër? Është koha të tregojmë guxim dhe integritet. Koha për të thyer modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë. Koha që Shqipëria të ecë përpara, hap pas hapi. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju,” -shkruan në Twitter ambasadorja Kim.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës. Rekomandimi i ONM-së vjen pasi KPK publikoi vendimin e zbardhur për Elisabeta Imerajn, e cila ishte vlerësuar pozitivisht në të tria kriteret. Por ekspertët ndërkombëtar nga ana e tyre rekomandojnë që ankimimi duhet gjithashtu të përfshijë të tria kriteret.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *