Nga burime mësohet se automjeti është me xhama të zinj dhe është zbuluar në një plantacion mandarinash në fshatin Xarrë të Konispolit. Nga ana tjetër policia ka sekuestruar edhe një automjet të dytë në një pikë karburanti në fshatin Qafë Gjashtë. Bëhet fjalë për një fuoristradë Land Rover, sërish me targa greke. Mësohet se ajo lëvizte në qytetin e Sarandës me xhama të zinj dhe kishte të instaluara fenelina si të policisë.
Ato nuk janë gjetur në momentin e sekuestrimit duke rritur dyshimet në lidhje me lëvizjet me personat që e kanë pasur në përdorim.
Sa i përket mjetit “Mercedes-Benz” me të cilin është kryer rrëmbimi, ai rezulton mjeti me të cilin kanë lëvizur edhe autorët e vendosjes së eksplozivit në 5 dhjetor 2022 në banesën e Lefter Lefterit në Sarandë. Policia e ndoqi me kamera sigurie këtë mjet deri në dalje të fshatit Gjashtë, ku mjeti mori drejtimin për në Nivicë, aty edhe ku u gjet, konkretisht në një garazh pa dryn të marrë me qira nga një person me banim në Sarandë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet kanë ecur me ritme të shpejta orët e fundit por ende nuk jemi afër nxjerrjes së urdhër arresteve. Kërkimet e sotme të RENEA dhe FNSH janë zhvilluar si nga deti ashtu edhe nga toka, por sërish kanë rezultuar pa sukses duke bërë që të hyjmë në ditën e 20 të zhdukjes pa gjurmë të “Koçoles” e Sulovarit.