“A do ta njihje emrin tim, po të të shihja në Parajsë? A do të ishte e njëjta gjë, nëse do të shihja në Parajsë?”– thuhet ndër të tjera në tekstin e “Tears in Heaven” (Lotë në Parajsë), kënga hit e krijuar dhe interpretuar nga këngëtari dhe kitaristi i famshëm britanik Eric Clapton.
E publikuar në vitin 1991, ajo u rendit në krye të renditjes muzikore në më shumë se 20 vende dhe fitoi Grammy Awars si Kënga e Vitit, Albumi i Vitit (Unplugged) dhe si Performanca më e Mirë Vokale për Meshkuj. Por ndonëse arriti një sukses të jashtëzakonshëm, kjo këngë ishte produkt i gjendjes së rënduar emocionale të artistit.
Ajo lindi nga dhimbja e madhe e shkaktuar nga vdekja aksidentale të djalit të tij 4-vjeçar, Conor, dhe është e përshkuar nga ndjenja e humbjes, dhimbjes dhe malli i një prindi të pikëlluar. Mëngjesin e 20 marsit 1991, djali i Clapton ndodhej me ish të dashurën e tij, aktoren italiane Lory del Santo duke luajtur në apartamentin e saj në Nju Jork.
Conor ra aksidentalisht nga rezidenca e katit të 53-të përmes një dritareje që ishte lënë pa dashje hapur pas punimeve në apartament. Clapton ndodhej në një hotel aty pranë dhe po përgatitej ta merrte Conor-in për një drekë të planifikuar babë e bir dhe të vizitonte me tëkopshtin zoologjik në Central Park.
“Në një moment pata një telefonatë nga apartamenti i tyre. Në fakt, sa po bëhesha gati të dilja nga dhoma e hotelit për të shkuar dhe për ta marrë për të ngrënë drekë së bashku. Lory ishte në anën tjetër të telefonit dhe ulërinte duk më thënë se ai kishte vdekur. Nuk po i besojaveshëve”– kujtoi Clapton në një intervistë të vitit 1992 për gazetaren britanike Sue Lawley.
Clapton e mbylli menjëherë telefonin dhe duke mos e besuar ende atë që dëgjoi, doli nga vrap nga hoteli dhe u drejtua për në bllokun e apartamenteve ku “pa ambulanca, zjarrfikëse dhe automjete ndihmëse”. Kur hyri në apartamentin e Lory-t, i mbushur plot me punonjës të shërbimit të urgjencës, Clapton kujton se u ndje sikur ajo skenë nuk kishte të bënte me të.
“M’u duk sikur kisha hyrë në jetën e dikujt tjetër. Dhe ndihem ende kështu”– shtoi Clapton në atë intervistë. Funerali i Conor u mbajt dy ditë para ditëlindjes së 46-të të këngëtarit. Eric e përshkroi lidhjen e tij me Conor si marrëdhënien më të ngushtë që ai kishte deri në atë pikë të jetës së tij, dhe ai e vlerëson djalin e tij të ndjerë si një nga arsyet kryesore që u bë dhe mbetet një njeri më i matur.
Nga fundi i viteve 1970, këngëtari i hitit tjetër “Cocaine”, kishte hequr dorë nga zakoni i tij i konsumit të heroinës, por konsumonte ende shumë droga të tjera – përfshirë kokainën – dhe alkool. Ishte lindja e Conor në vitin 1986, ajo që i dha Clapton shtysën për t’u de–intoksinuar dhe për të qëndruar larg drogës.
“Unë e bëra për Conor, sepse mendoja se nuk mund të isha një njeri i denjë pranë tij”–shkruan Clapton në librin e tij me kujtime botuar në vitin 2007 “Clapton:TheAutobiography”. Artisti shton se ajo tragjedi familjare i dha forcën për të qenë përgjithmonë larg drogës, në vend se t’i rikthehej konsumit të saj.
Duke u përballur me një pikëllim të thellë, ai e kaloi vetëm pjesën më të madhe të muajve të ardhshëm, duke udhëtuar midis Anglisë dhe Antiguas, ku mori pjesë në seanca meditimi dhe kërkoi ngushëllim në kitarën e tij duke krijuar muzikë. Dy këngë të shkruara në atë periudhë,u frymëzuan direkt nga ajo që kishte ndodhur në jetën e tij.
“Circus Left Town” tregon historinë e ndjekjes së një shfaqjeje cirku bashkë me Conor një natë para vdekjes së tij. “Tears in Heaven” ka një përmasë personale edhe më të fuqishme,dhe shtron pyetjen nëse do të takohemi sërish me ata që kanë vdekur para nesh. Në fillim qëtë dyja këto këngë nuk ishin menduar të dilnin në publik.
Por Clapton u inkurajua të shtonte këngën e fundit, të bashkëshkruar me Will Jennings, në kolonën zanore për të cilën po punonte për filmin “Rush”. Ajo tragjedi e nxiti Clapton të luante një rol më të madh në jetën e vajzës së tij.
Ruth Kelly Clapton lindi një vit para Conor dhe është fëmija i vetëm i Clapton me Yvonne Kelly, një menaxhere e një studio muzikore nga Montserrat. Oferta e kësaj të fundit për t’u njohur më mirë me vajzën e tij në periudhën pas vdekjes së Conor u pranua nga Eric, dhe gjatë vizitave të shumta, ata krijuan një raport të gushtë.
“Ishte e mrekullueshme të isha sërish në shoqërinë e një fëmije, fëmijës im”, shkruan Clapton në kujtimet e tij. “Duke analizuar në retrospektivë ato vite, e kuptoj se çfarë ndikimi të thellë pati ajo vajzë në mirëqenien time. Prania e saj në jetën time ishte absolutisht jetike për rimëkëmbjen time. Tek ajo, unë gjeta përsëri diçka reale për t’u shqetësuar, dhe kjo ishte e rëndësishme, pasi më bëri sërish një qenie njerëzore aktive”– thekson ai.