Ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca për ligjin e Teatrit Kombëtar. Padia është bërë nga Presidenti Ilir Meta në vitin 2019, i cili kërkoi shfuqizimin e procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të teatrit, si dhe kalimin e pronësisë së truallit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës.
Këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj, deklaron se Këshilli i Ministrave nuk ka vënë në dispozicion dokumentet që janë kërkuar që prej korrikut të 2019-ës. Prej gati dy vitesh, sipas Dervishajt, institucionet nuk kanë dhënë provat që Meta ka kërkuar, ndërsa disa prova janë vënë në dispozicion në datën 2 qershor, në mëngjes. Për 24 orë, sipas Dervishajt nuk mund të analizohen.
“E kemi pritur prej dy vitesh këtë seancë. Nuk është marrë në shqyrtim kërkesa për prova shtesë. Kemi 2 vite që kërkojmë prova shtesë dhe ende nuk i kemi marrë. 24 orë nuk mjaftojnë për të shqyrtuar dokumentet, nuk shprehemi në këtë seancë. Vetëm dje Këshilli i Ministrave i ka vënë në dispozicion dokumentet. Ne duam që të njihemi me provat dhe të caktojmë një tjetër seancë”, ka thënë Këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj.
Ai ka bërë thirrje që gjykata të marrë këto prova duke i urdhëruar institucionet në varësi të qeverisë që t’i sjellin dokumentet brenda muajit qershor.“S’mund të ketë debat gjyqësor të plotë pa u marrë këto dokumente,” u shpreh Dervishaj. Dervishaj në seancë kërkoi që Kushtetuesja të marrë provat shtesë dhe konkretisht:
- Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua teatri kombëtar.
- Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit.
- Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit.
- Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të Godinës.
- Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture.
- Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike.
- Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës.
- Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike.
- Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin Kombëtar.
- Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm.
- Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit.
- Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje.
- Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën.
- Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë.
- Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës.
- Si u arrit në përfundimin që Shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion?
- Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Kërkojmë praktikën e procedurës.
- Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
- Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës.
- KLSH i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës të detyrojë bashkinë t’a ndërtojë teatrin, aty ku ishte, me të njëjtën arkitekturë.
Po ashtu, Presidenti kërkon edhe thirrjen e këtyre dëshmitarëve në proces:
- Erviko Aimi (dhe dy të tjerë), senatorë të Republikës Italiane. Kemi folur paraprakisht, janë dakord të vijnë këtu, pasi kanë interes për mbrojtjen e trashëgimisë së ndërtimeve të bëra nga italianët.
2. Përfaqësues të Europa Nostra
3. Përfaqësues të KLSH
4. Albana Vokshi që e ka mbrojtur çështjen në Komisionin e Medias
5. Bujar Leskaj, ish-kreu i KLSH
6. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë e përfaqësuar nga Voltana Ademi
7. Erjon Veliaj
8. Arbi Mzniku
9. Toni Gogu
10. Behar Zeneli
11. Artan Lame
12. Artan Shkreli
13. Mirela Kumbaro
14. Elva Margariti