TEC-et lundruese/ Eksperti akuza ministres Balluku: Duan të kapin gjirin e Vlorës

Eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni, i cilli është paditur në Gjykatë nga kompania “Renco”, e cila në bashkëpunim me “Exelerate Energy” zbarkoi në Vlorë dy TEC-et lundruese nga Bangladeshi, nuk është ndalur në paraqitjen e të vërtetave rreth projektit të termocentraleve lundruese në zonën e Vlorës, të cilët nuk prodhojnë energji edhe pse iu paguhet qeraja ditore prej 94 mijë dollarësh.

Dy TEC-et me emra ekzotikë “Tigri 1” dhe “Tigri 2” të vendosura në gjirin e Vlorës u përshkruan si shpëtim nga Kryeministri Rama, dhe Belinda Balluku, ndërsa promovimin ua bëri ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Kompanitë private do të fusin në xhep plot 336 milionë euro për dy vite kontratë qiraje të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, por deri më tani nuk kanë prodhuar asnjë kilovat/orë energji.

Përveç kësaj, sipas Ferrunit vendosja e tyre në Gjirin e Vlorës rrezikon të ndosë keq këtë zonë duke shkaktuar një dëm të ngjashëm sikur 100 mijë makina me naftë të bënin 100 km çdo ditë brenda përbrenda qytetit.

Ferruni tha se ndaj tij është ngritur një padi, vetëm për faktin që t’i mbyllin gojën, pasi publikoi pretendimet e tij për një katastrofë mjedisore në Vlorë dhe denoncoi të shkuarën e errët të kompanisë “Renco”

“Ndaj meje ka nisur një çështje penale dhe është një tentativë për të mbyllur gojën. Termi anije është i gabuar pasi nuk janë të tilla, por është përdorur për t’i dhënë një konotacion më pozitiv. Janë bërë bashkë për të kapur Vlorës, gjiri i Vlorës do të pushtohet sepse do të bëhet një terminale gazi, që do të shpërndajë gaz në të gjithë Ballkanin dhe do të përdorin Vlorën. Ata janë të saktë për interesat e tyre, por përse qeveria shqiptare e lejon këtë gjë. Ne nuk kemi nevojë, nuk kemi pasur as në 2005”, u shpreh ambientalisti.

Ferruni më pas analizon projektin e ministrisë së Infrastrukturës për të kontraktuar TEC-et lundruese, duke thënë se eduhet të kishin shkuar për skrap pasi janë përdorur 25 vite në Bangladesh. Ai arrin në konkluzion se kemi të bëjmë me një aferë të ngjashme me atë të inceneratorëve.

“Sot ka një presion nga kompani që duan të investojnë energjinë diellore, edhe kompani shqiptare. Ky presion është bërë qëllimisht që t’i hapet rruga projekteve të fosileve. Projekti është në shkelje totale, është bërë në mënyrë të fshehtë. Letra u fut në dosje edhe kaq. Po sërish në mënyrë të fshehtë u bë deklarata që nuk u publikua, zonja Kumbaro ka bërë deklaratë pa bërë asnjë komunikim dhe pa pyetur ekspertë mjekësorë. Ka shumë elementë që të çojnë drejt një afere, edhe pse duket më e kujdesshme se ajo e inceneratorëve. Kamuflohen me faktin se është Amerika, por nuk ka lidhje fare. Gjejnë një territor ku nuk shihet rezistencë nga qeveria. Turizmi nuk mund të bashkëjetojë me energjinë fosile”, theksoi ai. News24

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *