Shkencëtarët kanë pajisur një nga teleskopët më të fuqishëm të Tokës me teknologji të re që do të zbulojë se si u formua galaktika.
Pritet që zbulimi të nxjerrë detaje të paprecedentë.
Teleskopi William Herschel (WHT) në La Palma të Spanjës do të jetë në gjendje të vëzhgojë një mijë yje në orë derisa të ketë kataloguar gjithsej pesë milionë.
Sakaq, një pajisje hartografike super e shpejtë e lidhur me teleskopin WHT do të analizojë përbërjen e çdo ylli dhe shpejtësinë me të cilën ai udhëton.
Ai pritet të tregojë se si u ndërtua galaktika gjatë miliarda viteve.
Gavin Dalton nga Universiteti i Oxford-it ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke zhvilluar instrumentin e quajtur Weave.
“Është një arritje fantastike nga shumë njerëz për ta bërë këtë të ndodhë dhe është e mrekullueshme të funksionojë. Hapi tjetër është aventura e re”, ka thënë ai.
Instrumenti i instaluar në WHT ndodhet lart në një majë mali në ishullin Kanarie të La Palma. Ka 80 mijë pjesë të veçanta dhe është një mrekulli inxhinierike.
Për çdo pjesë të qiellit ku drejtohet WHT, astronomët identifikojnë pozicionet e një mijë yjeve. Gishtat e shkathët robotikë të Weave vendosin më pas me kujdes një fibër optike saktësisht në çdo vend duke treguar drejt yllit përkatës.
Fibrat janë teleskopë të vegjël.
Secili kap dritën nga një yll i vetëm dhe e kanalizon atë në një instrument tjetër. Më pas e ndan atë në një spektër ylber, i cili përmban sekretet e origjinës dhe historisë së yllit.
E gjitha përfundon në vetëm një orë.
Teksa kjo ndodh, fibrat optike për mijëra yjet e ardhshëm janë të pozicionuar në anën e pasme të pllakës, e cila kthehet për të analizuar grupin e ardhshëm të objektivave.
Weave është në gjendje të llogarisë shpejtësinë, drejtimin, moshën dhe përbërjen e çdo ylli që vëzhgon, duke krijuar një film të yjeve që lëvizin në Rrugën e Qumështit.
Sipas Dalton, do të jetë e mundur të rindërtohet i gjithë formimi i Rrugës së Qumështit në detaje të pa parë ndonjëherë.