Telefonata që synon të shmangë konfliktin, Moska: Jemi në humor të mirë për bisedime me SHBA

Presidenti i SHBA Joe Biden do të zhvillojë bisedime me Vladimir Putinin e Rusisë për herë të dytë këtë muaj, në një përpjekje për të ulur tensionet mbi Ukrainën.

Ata pritet që të diskutojnë bisedimet e ardhshme të sigurisë midis vendeve dhe situatën në Evropë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Rusia, që ka përqëndruar forca të shumta ushtarake në kufirin me Ukrainën, mohon planifikimin për të pushtuar vendin. Ajo thotë se trupat e saj janë atje për stërvitje dhe se ka të drejtë të lëvizë lirisht trupat në territorin e vet.

Disa orë përpara telefonatës, Putin i tha zotit Biden në një mesazh feste se ishte “i bindur” që mund të punonin së bashku bazuar në “respektin reciprok dhe konsideratën e interesave kombëtare të njëri-tjetrit”.

Zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov, tha se Moska ishte “në humor të mirë për një bisedë”. SHBA u konsultua me udhëheqësit evropianë përpara telefonatës për të koordinuar një përgjigje të përbashkët për çështjen e Ukrainës, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët ukrainas të sigurisë thonë se më shumë se 100,000 trupa ruse janë dërguar pranë kufirit të dy vendeve dhe SHBA-ja e ka kërcënuar Putinin me sanksionet më të ashpra që janë parë ndonjëherë nëse ndërmerret një sulm ndaj Ukrainës.

Biden do t’i ofrojë homologut të tij rus një “rrugë diplomatike”, por mbetet “shumë i shqetësuar” nga grumbullimi i trupave ruse në kufi, tha një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve AFP. Biden pritet t’i thotë zotit Putin se SHBA-ja është e përgatitur të përgjigjet nëse Rusia përparon me “një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli të mërkurën me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinken kishte “përsëritur mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit ushtarak të Rusisë në kufijtë e Ukrainës”.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka lidhje të ngushta me bllokun. Rusia ka thënë se dëshiron garanci ligjërisht të detyrueshme që NATO nuk do të zgjerohet më shumë drejt lindjes dhe se armët e aleancës nuk do të dërgohen në Ukrainë, apo në ndonjë vend fqinj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka qenë i bindur se anëtarësimi i Ukrainës në aleancë është një çështje e NATO-s dhe Kievit. “Çdo dialog me Rusinë sigurisht që duhet të respektojë parimet thelbësore mbi të cilat është bazuar siguria evropiane”, tha ai më parë.
/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *