Në këto ditë të nxehta të verës, kujdesi ndaj shëndetit duhet të jetë maksimal, për të shmangur pasojat që mund të shkaktohen nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta
Drejtori i Mjekësisë Interne & Shërbimit të Urgjencës në Spitalin Hygeia, infeksionisti Arben Pilaca ka ndarë disa këshilla lidhur me problematikat shëndetësore të stinës së verës.
Ai shprehet se e rëndësishme është higjiena personale, veçanërisht larja e herëpashershme e duarve. “Është shumë e rëndësishme që përveç higjienës personale siç është larja e duarve, një rutinë e zakonshme, që na mbron nga Covidi ashtu edhe nga gripi, helmimet, infeksionet njerëzit duhet mos ta neglizhojnë”.
Më tej, Pilaca rekomandoi që familjarët të cilët zgjedhin të gatuajnë vetë për pushime, duhet të kenë kujdes për rivendosjen e ushqimeve në frigorifer. “Familjarët të cilët kanë zgjedhur të pushojnë dhe gatuajnë vetë, janë më të sigurtë sesa të tjerët që kanë zgjedhur të konsumojnë në restorante apo vende të tjera. Ata duhet të kenë kujdes kur konsumojnë një ushqim dhe më pas e rifusin në frigorifer, teproi dhe futet siç e kemi rutinë ne”.
Kur bëhet fjalë për ndihmën e shpejtë, mjeku këshilloi që disa masa duhet t’i marrim vetë paraprakisht se mosekzpozimi në diell apo veshja e rrobave të gjëra dhe me ngjyrë.
“Unë do të thoja që gjëja më e mirë për këtë gjë është se duhet të parandalosh të ndodhi ngjarja. Ne luftën kryesore me këtë stinë duhet ta kemi me këshilla dhe mënyrën se si ta parandalojmë këto. Gjëja e parë që unë rekomandoj është që ekspozimi në diell nga ora 12 deri në orën 5 pasdite të eliminohet mundësisht, sidomos grupet vurnerabël.
E dyta, të veshin rroba të lehta, të gjëra, mundësisht të bardha, me ngjyra të hapura.
E treta të pimë sa më shumë lëngje të sigurta, ujin mundësisht. Nuk do thosha coca-cola, birra, që të jetë elementi kryesor hidrues ta pinë kur e ka momentin. Tjetra është që të kenë mundësi të sigurojnë jetën e vetë nga pickimet. Këto kemi mundësinë t’i bëjmë.
Ana tjetër është ndihma e parë, spitali jonë është i hapur 24 orë, 7 ditë të javës. Pjesën e parë e kemi me këshillimin, më pas asistojmë menjëherë te pacienti. Nga ana tjetër ka situata që nuk presin për këtë, por vendet turistike kanë ndihmën e shpejtë aty dhe duhet të ndërhyjnë”
/Burimi: abcnews/