Temperaturë deri në 39 gradë, ethe dhe dhimbje muskujsh”/ Këshillat e mjekut infeksionist Sali Ahmeti

Temperaturë deri në 39 gradë deri në tre ditë me radhë, ethe, kollë e thatë, lodhje, rrjedhje hundësh dhe dhembje muskujsh janë simptomat që manifestojnë pacientët e prekur me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë, thotë infektologu Sali Ahmeti. Në fund të dhjetorit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë konfirmuar praninë e variantit Omicron të koronavirusit.

Ky variant, i cilësuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është identifikuar për herë të parë në Afrikë të Jugut në muajin nëntor dhe që atëherë është përhapur në qindra vende të botës, duke u bërë dominues në disa. Sipas Ahmetit, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), manifestimet klinike të Omicronit janë më të buta se ato të Deltës – deri më tash, variant dominues në Kosovë – por, shton ai, Omicron është më i transmetueshëm.

“Në rrethin familjar kur preket një anëtar, virusi pasohet pothuajse te të gjithë anëtarët tjerë”, thotë ai. “Format e sëmundjes janë më të lehta, prekjet pulmunare janë më të rralla. Po ashtu, ka raste më të rralla të atyre që kanë nevojë për hospitalizim dhe atyre që kanë nevojë për mbështetje me oksigjen apo frymëmarrje të ventiluar”, thotë Ahmeti.

Ai thekson se pacientët e hospitalizuar, të cilët kanë qenë të vaksinuar me dy doza të vaksinës, kanë treguar formë më të lehtë të sëmundjes se pacientët e pavaksinuar. Sipas Ahmetit, trajtimi terapeutik për pacientët me Omicron është i njëjtë si për rastet e mëparshme. Disa nga ilaçet që kërkohen për mjekimin e koronavirusit janë: paracetamol, favipiravir, fraksiparina, enoksaparin, remdesivir, lactoferrina dhe vitamina të ndryshme, varësisht gjendjes së pacientit.

Brenda dhjetë ditësh: 1,429 raste të reja
Autoritetet shëndetësore në Kosovë, nga data 1 deri më 10 janar, kanë regjistruar 1,429 raste të reja me koronavirus. Shifra është dukshëm më e lartë në krahasim me dhjetëditëshin paraprak, përkatësisht periudhën 21-31 dhjetor, kur janë regjistruar 219 raste të të infektuarve. Por, përkundër shtimit të rasteve, numri i pacientëve të shtrirë në spitale nuk është i lartë, thotë Albina Ponosheci-Biçaku, infektologe në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Nga mbi 1,700 raste aktive me koronavirus, vetëm 16 kanë qenë duke marrë trajtim mjekësor në spitalet publike të Kosovës, më 10 janar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se varianti Omicron i koronavirusit duket se nuk shkakton sëmurje të rëndë, në krahasim me variantin Delta, por nuk duhet të kategorizohet si “i butë”. Ponosheci-Biçaku thotë se qytetarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm në respektimin e masave kundër koronavirusit dhe të vaksinohen.

“Varianti Omicron që po qarkullon, po përhapet me shpejtësi të madhe. Mbajtja e maskës, distanca fizike, higjiena dhe vaksinimi i atyre që nuk janë vaksinuar dhe marrja e dozës së tretë për ata që kanë marrë dy dozat e para, do të na ndihmojnë edhe neve si personel, por edhe pacientët që të mos manifestojnë sëmundje të rëndë”, thotë Ponosheci-Biçaku për Radion Evropa e Lirë.

IKSHPK: Mund të përkeqësohet situata epidemiologjike
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), përmes një deklarate në rrjetin social Facebook, paralajmëroi të hënën se situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. “Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve, që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave”, bëri thirrje IKSHPK-ja.

IKSHPK po ashtu tha se vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi dhe u rikujtoi qytetarëve se mund të imunizohen çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor nëpër komuna. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, 49.2 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 43.9 për qind me dozën e dytë.

Aktualisht, në Kosovë jepet edhe doza e tretë dhe përforcuese e vaksinës për të gjithë ata që kanë kaluar tre muaj kohë prej marrjes së dozës së dytë. Izraeli, në fillim të këtij viti, ka nisur me dhënien e dozës së katërt të vaksinës për të luftuar, siç ka thënë, përhapjen e variantit Omicron. Gjermania tha të hënën se është duke shqyrtuar dhënien e dozës së katërt, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka thënë se nuk e sheh të nevojshme.

/Burimi: REL/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *