Nuk ka shkuar pa “incidente” takimi mes kryeministrit Rama dhe kryebashkiakëve socialistë, ku një pjesë e të cilëve duket se janë mërzitur tashmë me mospasjen në dorë më të gjërave si më parë.
Mes kryebashkiakëve socialistë të thirrur sot në takim me kreun e qeverisë, Edi Rama, i vetmi që mungonte ishte kryetari i Bashkisë së Vlorës, “rebeli” Dritan Leli.
Kjo vjen si rrjedhojë e përplasjeve të vazhdueshme brenda partisë, pasi Leli nuk pranoi të hiqte dorë nga posti i kryebashkiakut, për të kandiduar për deputet, duke thyer kështu një “tekë” të kryeministrit njëherësh edhe kryetar i PS-së.
Në mbyllje të një “gjyqi publik” 40-minutësh për kryetarët e bashkive, kryeministri Edi Rama, i ka hequr fjalën njërit prej tyre, i cili duket se donte të replikonte pas “dushit të ftohtë”.
Rama i bën shenjë kryebashkiakut që të ulet dhe i kujton atij se, nuk i kishte dhënë leje për të folur.
“Ulu, ulu aty…! Se nuk ta dhashë fjalën ty unë!”,- dëgjohet duke thënë Rama, ndërsa regjia nuk e fokusoi kryebashkiakun tjetër “rebel”, që donte t’i merrte vëmendjen kryeministrit.
/Priza.al/