Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha depozitoi ditën e sotme një kallëzim penal në SPAK. Bëhet fjalë për një tender 2.3 milionë euro për pastrimin në bashkinë e Vorës.
Hoxha kërkoi nga SPAK të nisë sekuestrimin e dokumenteve ndërsa tha se është i hapur për hetim pasuror ndaj tij dhe familjarëve të tij dhe bëri thirrje që e njëjta procedurë të ndiqet edhe për rivalin e tij.
Hoxha: “Kam bërë kallëzimin e parë penal për një aferë korruptive në Bashkinë e Vorës me vlerë 2.3 mln euro që është në shkelje totale ligjore. SPAK të fillojë sekuestrimin e dokumenteve dhe të dërgojë para drejtësisë autorët.
Koha kur abuzimet e qytetarëve me taksat e qytetarëve do të marrin fund. Kush ka vendosur dorë në taksat e qytetarëve duhet të shkojë para drejtësisë dhe të japë llogari, Inkurajoj qytetarët shqiptarë të bashkëpunojnë me DEA-n dhe të japin informacion si paratë e tyre po përdoren për të blerë vota. Vora ka qenë betejë e nxehtë elektorale në katër vitet e fundit për shkak të abuzimit dhe vjedhjes që i bëhet kësaj bashkie. Inkurajoj qytetarët të mos bien pre e shantazheve.
Drejtësia të bëjë punën që i takon. Të hetojnë pasurinë time, të familjarëve të mi, dhe të hetojnë pasurinë e kryetarit të bashkisë së Vorës dhe të afërmve të tij. Bëhet fjalë për tenderin e pastrimit që është në vlerën 2.3 mln euro. Sot Vora është bashkia më e pistë e republikës. Kam kallëzuar kryetarin e bashkisë Vorë, zotin Blerim Shera”