SPAK, (Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion), ka ekzekutuar mëngjesin e të shtunës 9 urdhër-arreste për 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.
Të tjera detaje janë bërë me dije në lidhje me operacionin antikorrupsion të SPAK në lidhje me abuzimet në tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, të zhvilluar një vit më parë nga Sandër Lleshaj dhe Ministria e Brendshme. Përsfshirë mes 9 arresteve është edhe ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike, Edlira Naqellari.
Burime bëjnë me dije se SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin. Rezulton se ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari ka ndyrshuar çmimet, sasinë dhe cilësinë e uniformave të kërkuara nga Policia e Shtetit. Sipas përgjimeve të SPAK, këto veprime të paligjshme, Naqellari i ka kryer në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të arrestuar. Naqellari u shkarkua më 2 korrik nga Bledi Cuci, ndërsa në vend të saj u komandua njëra prej drejtuesve të Njësive të Agjencisë, Nertila Mihali.
Edlira Naqellari është motra e Kryetares së Gjykatës se Lezhës, Ornela Naqellari.
Si u zhvillua tenderi i MBP?
Tenderi për uniformat e Policisë u zhvillua në kohën kur ministër ishte Sandër Lleshaj. Ky tender u pa si i dyshimtë për disa arsye, ku një prej tyre ishte se në kundërshtim me ligjin e prokurorimeve, afati i garës u shkurtua nga 52 në 24 ditë. Në gusht të 2020-ës dy deputetët e opozitës së re, Myslym Murrizi dhe Halit Valteri kallëzuan në SPAK këtë tender, duke deklaruar se kompania fituese nuk kishte lidhje me fasonët por ishte një kompani gërmimesh. Kallëzimi në SPAK u bë për Lleshajn, asokohe Minister i Mbrojtjes, Edlira Naqellarin dhe disa zyrtarë të tjerë. Hetimi vazhdon, ndërkohë që SPAK ka arritur të verifikojë se uniformat e blera, ku çmimi për një kapele të tenderuar ishte 350 euro, nuk ishin në cilësinë e duhur dhe nuk justifikojnë të dhënat e tenderit.
/Priza.al/