RUSIA po vendos më shumë se 700 snajperë ushtarakë në katër rajone afër Ukrainës në lojëra të reja luftarake. Masa vjen në mes të tensionit të thelluar mbi frikën perëndimore që Vladimir Putin po planifikon një pushtim të afërt të fqinjit të tij.
Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken paralajmëroi për pasoja serioze, nëse Rusia do të kërkojë konflikt me Ukrainën. Ukraina refuzon kategorikisht të heqë dorë nga plani i saj për t’u bashkuar me NATO-n.
Nuk kanë fund tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës. Moska ka vendosur rreth 700 snajperë pranë kufirit me Ukrainën, menjëherë pasi Kievi deklaroi se më shumë se 94 mijë trupa ruse janë vendosur në kufi.
Në mediat ndërkombëtare janë publikuar edhe foto të snajperëve të shtrirë në dëborë të veshur me të bardha. Moska ka bërë të ditur se stërvitja është duke u zhvilluar në tre nga katër rajonet që kufizohen me Ukrainën, duke përfshirë ushtrime ushtarake për kamuflimin e snajperëve, të shtëna në distancë të largët. Ata janë duke përdorur armë SVD, SVD-M, SVD-K dhe një snajper të kalibrit të lartë, ASVK.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se Europa mund të rikthehet tek ai që e quajti “makthi i konfrontimit ushtarak”. Gjatë një konference për sigurinë në Suedi, ku u takua me Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken, Lavrov shpalosi idenë e një pakti të ri europian për sigurinë, që do të përpiqej të ndalonte zgjerimin e infrastrukturës së NATO-s më në lindje.
“Infrastruktura ushtarake e aleancës po zgjerohet në mënyrë të papërgjegjshme, duke ju afruar kufijve rusë ne Rumani dhe Poloni, e duke pozicionuar sisteme anti-raketore që mund të përdoren për sulme. Raketa amerikane me rreze të mesme veprimi do të shfaqen shpejt në Europë, duke rikthyer skenarin e një konfrontimi ushtarak”, tha Lavrov.
Paralajmërimi amerikan
Sakaq, sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken paralajmëroi për pasoja serioze, nëse Rusia do të kërkojë konflikt me Ukrainën.
“Nëse Rusia do të vendosë të zgjedhje konfrontimin pasojat do të jenë të rënda. Në të njëjtën kohë qe në po diskutojmë mbi këtë çështje, ne kemi edhe interesa të përbashkëta siç është ai për të mos lejuar Iranin të sigurojë armë bërthamore”, u shpreh Blinken.
Ukraina refuzon heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO
Ukraina refuzon kategorikisht të heqë dorë nga plani i saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe çdo garanci tjetër të kërkuar nga Rusia, tha ministri i saj i Jashtëm, Dmitro Kouleba duke u kërkuar aleatëve të tij të bëjnë të njëjtën gjë.
”Kievi, për të cilin një premtim i tillë nuk është një opsion, u bën thirrje SHBA dhe aleatëve të saj që të refuzojnë kërkesat e formuluara nga Moska për të lehtësuar tensionet në kufijtë ruso-ukrainas”, theksoi Kouleba.
“Unë e hedh poshtë idenë se ne duhet t’i garantojmë ndonjë gjë Rusisë. Unë këmbëngul se është Rusia ajo që duhet të garantojë se nuk do të vazhdojë agresionin e saj kundër asnjë vendi”, tha ai.
Gjatë një takimi në Stokholm, kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov kërkoi dje nga homologu i tij amerikan Antony Blinken garanci sigurie në kufijtë rusë. Moska po bën thirrje veçanërisht për një ngrirje të përparimit të NATO-s drejt Lindjes.
Dmytro Kouleba u bëri thirrje aleatëve të tij perëndimorë që të mos bëjnë ndonjë marrëveshje të tillë me Moskën duke paralajmëruar se Kievi nuk do ta njohë kurrë. “Ne kemi një rregull të artë në politikën e jashtme të Ukrainës: asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën”, tha ministri i Jashtëm ukrainas.
/Burimi: The Sun/ Përshtati: Priza.al/