Seanca plenare në Kuvendin e Kosovës është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje. Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, teksa ka përmendur shifrat e rritjes së çmimit të energjisë, ka revoltuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili i është drejtuar me fjalët “pse po rren”.
“Po i drejtohem z.Tahirit dhe marrjen e çmimit për 21 cent si referencë dhe krahasimit me Italinë. Ata që i kanë ba veç dy mësime statistikë e dinë sa e rrezikshme është kur e përdor një numër e se dinë në shërbim të qka po e përdor. Mundesh me bërtit sa të dush, por kualitetin e të dhënave nuk e përmirëson. Me mundu me ta vizatu z.Besnik Tahiri, nëse e ke nga 0 deri 100 një çmim dhe nga 100 deri në 110 e dyfishon çmimin, rritja është 9% nuk është 100 %. Çmimi prej 14 cent dhe 21 cent për të cilin po e manipulon, aplikohet vetëm për ata që konsumojnë më shumë se 600, nuk është rrit tarifa. U mbytem tu ju than mos rreni po prape po dilni po rreni”, ka deklaruar Bislimi.
Deputetët e opozitës kanë filluar të bërtisnin dhe të godisnin tavolinat e Kuvendit. Pastaj, ka ndërhyrë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili u ka kërkuar deputetëve të jenë më të disiplinuar.
“Ju lutem respektojeni njëri tjetrin kur të flisni. Është e vërtetë që fjala gënjeshtër është përdor shpesh në parlament dhe nuk ju kisha propozua askujt me përdor”, është shprehur Konjufca.
Menjëherë replikë ka kërkuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Duhet me ja tërheq vërejtjen zëvendëskryeministrit sepse është e turpshme me dalë me ju thanë deputeteve po rreni. Në mungesë të argumenteve ky del thotë akuza dhe të pavërteta. Nuk është gjendja alarmante këtu sa është te qytetarët. Kur ti paguajmë faturat e këtij muaji do të shohësh çfarë reagimi kanë me pas qytetarët. Në fund të muajit do ta shohim a po rreni ju apo ne”, ka thënë Tahiri.
Pas Tahirit, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka deklaruar se nuk i merr personale ofendimet e zëvendëskryeministrit.
“Zëvendëskryeministri del thotë po rreni deputetë. Këtë e thotë sepse ka dështuar dhe mundohet që përmes ofendimit të mbroj një kauzë. Shumë shpejt do të vërtetohet se kjo që ju po e thuani është mashtrimi më i madh që po i bëni qytetarëve. Jeni tu dashtë me kamuflua, do ta ndalim këtë nëse jo në Kuvend do ta ndalim me të gjitha mjetet demokratike. Ruaje veten, mos ofendo”, ka thënë Tahiri.
/Priza.al/