Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të datës 2 nëntor është djegur vetura me targa RKS (Republika e Kosovës) në pronësi të pjesëtarëve të komunitetit serb nga Zubina Potok.
Ky është rasti i katërt i djegies së pasurisë së personave me targa RKS, të cilin autoritetet kosovare e cilësojnë si “kanosje”.
Herën e fundit një incident i ngjashëm ka ndodhur më 27 tetor, kur në territorin e komunës së Leposaviqit është djegur një veturë e cila është ri-regjistruar në RKS.
Policia e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar për zbatimin e ligjit, ndërsa thekson se rasti i djegies së veturave do të hetohet dhe zbardhet.
“Ftojmë të gjithë qytetarët pa dallim që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, e cila në vazhdimësi do të kujdeset për sigurinë e të gjithë qytetarëve për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe zbulimin e veprave të tilla kriminale”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, më 1 nëntor, autoritetet e Kosovës filluan zbatimin e një plani për riregjistrimin e automjeteve me targa të qytetit në Kosovë të lëshuar nga autoritetet serbe.
Bëhet fjalë kryesisht për KM (Kosovska Mitrovica) të cilat janë ilegale për Kosovën por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në veri, ku jeton popullata shumicë serbe.
Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin në RKS (Republika e Kosovës) do të zbatohet në tri faza, nga 1 nëntori deri më 21 prill.
Në fazën e parë vozitësit vetëm paralajmërohen, në të dytën mund të paguajnë gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të lëshohen targa. Nga data 21 prill 2023 do të mund të përdoren vetëm targa RKS.
Më 31 korrik, çështja e ri-regjistrimit të veturave shkaktoi tensione në veri të Kosovës, kur serbët vendas ngritën barrikada. Për këtë arsye Kosova, me iniciativën e bashkësisë ndërkombëtare dhe me qëllim të deeskalimit të situatës, e shtyu vendimin për riregjistrim për një muaj.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar sërish Kosovës që ta shtyjë këtë çështje edhe për dhjetë muaj të tjerë. Nga ana tjetër, Beogradi zyrtar po kërkon marrëveshje për këtë çështje, pra kthimin në përdorim të tabelave KS neutrale nga statusi.