Një shpërthim është regjistruar në Zveçan, raporton RTK. Mësohet se një grup serbësh, janë duke provokuar vazhdimisht trupat e NATO-s edhe në orët e mbrëmjes.Gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica në një lidhje direkte nga Zveçani, raportoi se në orët e mbrëmjes ka pasur një shpërthim. Nuk dihet nëse shpërthim është shkaktuar nga ndonjë bombë apo molotov.
Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.