Tensionet Kosovë-Serbi/ Meta: Diregjimi nga Beogradi është një lojë e rrezikshme për sigurinë në rajon

Kreu i PL, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me tensionet në veri të Kosovës.

Meta në ‘Facebook’ shkruan se veprimet e presidentit Aleksandër Vuçiç janë një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Sakaq shton se BE dhe NATO të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë:

Tensionimi i situatës në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura kriminale, që komandohen nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Kjo situatë përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë dhe tërheqjen e vëmendjes së opinionit botëror me krijimin e tensioneve dhe vatrave të reja të krizës në vende të ndryshme të botës. Mbështesim çdo veprim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur rendin demokratik e kushtetues të vendit dhe bëjmë thirrje për ulje të tensioneve. Qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës. Bëjmë thirrje që drejtuesit shtetërorë dhe institucionalë të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE dhe NATO të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Të gjithë me vetëpërmbajtje, durim dhe largpamësi duhet t’i shërbejnë forcimit të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës europiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit tonë!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *