Presidenti serb Aleksandër Vuçiç është takuar ditën e sotme me presidentin rus Vladimir Putin. Takimi i tyre zgjati rreth tre orë. Vuçiç zbuloi se kishte rënë dakord me Putin për çmimin e gazit.
“Ne kemi marrë një çmim të pabesueshëm prej 270 dollarë në 6 muajt e ardhshëm, që të mos ndryshojë çmimi ynë, kemi një rritje të sasisë së gazit për 6 muaj”, është shprehur ai.
Ndër të tjera ai deklaroi, se Putin premtoi se nuk do ta lërë Serbinë në baltë dhe se Rusia do të vazhdojë të ndjekë një politikë të përgjegjshme për të mbështetur ligjin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës dhe Metohisë.
“Biseduam për situatën në të gjithë rajonin, jo vetëm për disa territore. Unë fola pa mëdyshje për atë që po ndodh në rajonin tonë, pasi kemi nënshkruar dhe bashkëpunimin e mirë ushtarako-teknik”, është shprehur Vuçiç.
Ai paralajmëroi se do të ketë gjëra më të mëdha lidhur me të ardhmen e Serbisë referuar fuqizimit ushtarak.
/Priza.al/