Kreu i PD Sali Berisha, ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, ku tha se largimi i Listës Serbe është nxitur nga Beogradi.
Gjatë fjalës së tij Berisha gjithashtu akuzoi kryeministrin Edi Rama se është kthyer në një vasal të presidentit Aleksandër Vuçiç. Më tej ai i ka kërkuar presidentit serb të mos mbështetej tek Rama pasi shqiptarët e dinë se kryeministri është tradhëtar i kombit.
“Dje zëdhënësi i Kremlinit reagoi haptas dhe fajësoi Kosovën për krizën e krijuar nga Vuçiçi dhe vetë Putini në rajon. Vendosja e bandave serbo-ruse dhe futja e armatimeve të gjitha këto si pretekst për të mos zbatuar ligjet. Ky është një moment jo i lehtë për Kosovën, ndaj dua t’i shpreh solidaritetin tim të plotë, Kosovës qytetarëve të saj dhe të dënoj ndërhyrjen e Kremlinit dhe të Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. E gjitha kjo është përpjekje e Vuçiç për të mbajtur shtetin serb në Kosovë, ai nuk e fsheh këtë. Përshëndes qëndrimin e vendosur të NATO-s. Putini dhe Putini i vogël Vuçiç janë të gatshëm për një aventurë të re, Serbia e mban konfliktin ndezur. Uroj të mos ketë për përpjekje për destabilizim pasi ndëshkimi do të jetë i rëndë. Dënoj qëndrimin e Ramës, pasi në të gjitha këto acarime, Beogradi ka pasur direkt apo indirekt mbështetjen e plotë të Ramës. Beogradi është ndjerë komod dhe i sigurt, pasi me vasalin Edi Rama e ka vendosur Kosovës në një garë armiqësore si nga veriu ashtu edhe nga jugu i saj. Pseudo reagimi i tij ndaj një sherri jo të vogël. Edhe ky pseudo reagim tepër i vonuar. Megjithatë dua të theksoj se në çdo rrethanë Vuçiç duhet ta ketë të qartë se shqiptarët do reagojnë si kombi vetëm dhe të mos llogarisë asgjë të vasali tij në Tiranë Edi Rama pasi shqiptarët e kanë të qartë që ai përfaqëson një vegël të tij, tradhtar të kombit shqiptar”, tha Berisha.