Prishtina zyrtare nuk ka ndërmend që të bëjë hapa pas në vendin e saj tashmë të zbatuar për reciprocitetin e targave për automjetet nga Serbia.
Edhe pse në drejtim të qeverisë së Kosovës kanë nisur presionet e para pozitive nga ana e vendeve të BE-së dhe institucioneve të saj, përsëri duket se shteti i Ballkanit nuk ka ndërmend që të stepet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka folur për situatën në Veri me rastin e aplikimit të masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia.
Ai është shprehur se i vetmi person, i cili sipas tij, dëshiron incidente është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike.
Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia.
Duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë. Ne jemi për dialog”,- ka deklaruar kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri kosovar është shprehur se, si Kosova, ashtu edhe Serbia, duhet t’i heqin targat e përkohshme të automjeteve si pjesë e zgjidhjes së situatës së krijuar ditëve të fundit në veriun e Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë filluan së zbatuari, siç thanë, reciprocitetin në çështjen e targave të automjeteve.
“Oferta jonë publike besoj që është tejet praktike përveçse gjeneroze e kjo është le t’i heqin tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë që qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e më sa më pak vonesa.
Ne besojmë që Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që siç gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”,- ka theksuar ai.
/Priza.al/