Një ditë pas tensioneve në Parlament, Partia Socialiste kërkon përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të katër deputetëve të Partisë Demokratike.
Mësohet se nga PS është kërkuar përjashtimi i kreut të PD, Sali Berisha, si dhe deputetëve Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Edi Paloka.
Seanca e djeshme u shoqërua me tensione, përplasje dhe akuza, ndërsa jashtë parlamentit zhvillohej protesta e thirrur nga opozita. Për gati 1 orë e gjysmë, deputetë të PD-së u përplasën me socialistët, ku kryefjalë e akuzave ishte çështja McGonigal, ndërsa disa prej tyre nuk u lejuan që të hynin në sallë pasi ishin të përjashtuar.
Deputetët e opozitës bllokuan foltoren ndërsa Berisha mori fjalën disa herë teksa ndërpritej nga kryetarja Nikolla. Sakaq, nuk munguan as zhurmat ku deputetët u frynë bilbilave dhe goditnin tavolinat me duar në shenjë proteste, duke kërkuar që çështja McGonigal të bëhet temë kryesore e diskutimeve në seancën plenare.