Ngjarjet e djeshme në Veri të vendit nxitën reagime ndërkombëtare që këtë herë ishin në dënimin e veprimeve të autoriteteve kosovare, derisa kanë kërkuar nga palët që zgjidhjet të dalin nga procesi i dialogut.
Analisti amerikan, Edward Joseph, i ka cilësuar të nxituara reagimet për deklaratën e SHBA-së që dënoi veprimet e Kosovës në Veri, duke shtruar një pyetje.
“Në nxitimin për të dënuar SHBA-në që dënoi veprimit e Kosovës në veri sot, neglizhohet 1 pyetje: po sikur dikush – serb apo shqiptar – të vritet? Më kujtohet mirë në vitin 2011, aksioni i pakoordinuar i Prishtinës në veri që la të vdekur një oficer të Policisë Speciale kosovare”, ka shkruar ai në Twitter.
Ai tha se rezultati qe erdhi nga ky rast ishte tragjedi për familjen e oficerit të vrarë nga sulmuesi serb, atmosferë e ngarkuar e muaj me barrikada serbe dhe më shumë dhunë nga serbët, duke plagosur ushtarë të KFOR-it.
“Çështja është se dy gjëra mund të jenë të vërteta: Vuçiç mund të jetë i keq dhe Kurti i papërgjegjshëm. Po, fajin e ka Beogradi: regjimi kriminal në veri sabotoi zgjedhjet e 23 prillit; vazhdimi i bojkotit të institucioneve të Kosovës; përmbysja flagrante e Marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme të Ohrit”.
Por, Joseph kritikon edhe reagimin e SHBA-së që tha se do të ketë pasoja në marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-së.
“Destruktiviteti i Beogradit do të thotë se SHBA-ja ka tejkaluar reagimin duke kërcënuar “pasojat për marrëdhëniet” me Prishtinën. Cilat janë pasojat për marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë? Vulin (dhe Dodik) në Moskë simbolizojnë një politikë të Vuçiçit shumë më të dëmshme sesa manovra e pamatur e Kurtit”. “Mosbalancimi ndërmjet qëndrimit të SHBA-së në Beograd dhe Prishtinë nuk është më i qëndrueshëm”, thotë ai.