Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak ndodhet sot në një vizitë zyrtare në vendin tonë dhe u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti Bajram Begaj. Pas një takimi kokë më kokë, dy homologët po mbajnë një konferencë për shtyp.
Presidenti Bajram Begaj komentoi zhvillimet në veri të Kosovës. Begaj u shpreh se dhuna e serbëve ndaj forcave të KFOR është e pajustifikueshme. Ai tha se është e nevojshme të ketë një çtensionim të situatës.
“Ngjarje të tilla nuk janë në shërbim të askujt, nuk i bëjnë mirë asnjërit. Pengojnë proceset integruese të rajonit në BE. Për në misioni i NATO në Kosovë është një histori suksesi prej 20 vitesh. Ky mision e ka kryer detyrën e tyre me përgjegjësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës dhe dhuna e ushtruar ndaj KFOR dhe medias është e pajustifikueshme. Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të justifikuar asnjë nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të arritur në Bruksel dhe anekseve në Ohër. Në këtë moment nevojitet një çtensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemit dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për të arritur atë marrëveshje”.