Ditën e djeshme ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit e të lejonin lëvizjen e dy makinave të forcave të posaçme. Protestuesit iu përgjigjën me gaz lotsjellës e gurë duke lënë të paktën 25 ushtarë të KFOR-it të plagosur.
Presidenti i vendit Bajram Begaj ka dënuar ashpër dhunën ndaj trupave të KFOR. Pasi theksoi se sovraniteti i Republikës së Kosovës s’duhet të vihet në pikëpyetje dhe të zbatohen marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, i kërkon autoriteteve kosovare që të jenë më të duruar.
“Dënoj ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të Veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR në Kosovë. Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike. Por gjithashtu, i përsëris publikisht thirrjen time vëllazërore autoriteteve kosovare për më shumë durim e maturi dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët tanë” – shkroi Begaj.